E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendër Spitalore apo qendër tregtare...

QSUT kthehet në pazar, zaptohet nga bizneset dhe plehrat

Kjo është Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza ajo për të cilën është folur aq shumë sa fjalët tashmë janë të tepërta. Koshat e tejmbushura me mbeturina nga më të ndryshmet, madje tek tuk edhe ndonjë ide a shpikje nga të zotët e taksive, që duken se i kanë kthyer së fundmi,

rrotat e makinave në kosha plehrash. Në pamje të parë duken si shaka të stisura enkas për pacientët të cilët përveç gjendjes mizerabël në spitalin më të madh në vend, nuk kanë çtë shohin tjetër, e në këtë rast argëtohen duke buzëqeshur nga dritaret e mbuluara me çarçaf të spitalit numër 1 për këtë shpikje të rrallë. Kjo ide me siguri është iniciuar nga drejtuesit e shëndetësisë, në bashkëpunim me taksistët e të gjithë së bashku kanë menduar që me këtë shpikje, të konkurojnë madje edhe në çmimet gines. Urojmë që të fitojnë e më pas me paratë e përfituara të blejnë ca kosha për spitalet. Në këtë panoramë tejet qesharake syri të sheh gjithfarë çudirash, që prej letrave e qeskave të mbetura prej kohësh në pemët e mplakura përpara ndërtesës së spitalit numër 1 e deri tek ushqimet e hedhura pa kriter ambienteve të jashtme të spitalit. Ndalesa e parë është godina dykatëshe e Kirurgjisë së Përgjithshme. Në hyrje të saj (përballë Spitalit Djegie-Plastikës), një qen rruge shullëhet për qejf të tij nën hijen që i bëjnë dy ambulanca të parkuara skiç. Sapo hyn në katin e parë, të zihet fryma nga era e mykut. Në lartësinë e mureve, rrjeta merimangash varen poshtë, ndërsa bishta cigaresh të shkelura me mllef nga duhanpirësit, janë hedhur tej më tej korridoreve të kateve. Ato gjenden dhe në vazot e luleve të vyshkura në anë të korridoreve. Ndërtesa e gjashtëkatëshit, duket sikur i bën karshillëk dhe zili godinës së Kirurgjisë së Përgjithshme. Ajo është më e re dhe më e mirëmbajtur, por ajo që të serviret brenda është shumë zhgënjyese. Kudo rrëmujë, pisllëk, njerëz që presin në radhë për të bërë një EKO dhe të tjerë përpara dhomës së mjekëve janë vënë në rresht për të bërë një vizitë. Ndërkohë që në korridorin që të çon te Kardiokirurgjia, gjithçka duket më "e qetë". Në të vërtetë, njerëzit janë të alarmuar pas mbylljes të tri sallave të operacionit dhe të reanimacionit. Ndalesa jonë e radhës është Spitali Pediatrik. Godina e vjetër e këtij spitali është në rikonstruksion e sipër, ndërsa një urë prej betoni e lidh atë në lartësi me ndërtesën e Pediatrisë së Specialiteteve. Vetëm disa metra larg kësaj të fundit, një grumbull mbeturinash të zë këmbët, ndërkohë që koshat e plehrave janë të tejmbushur e qelben erë. Urgjenca, e cila pret rreth 300 fëmijë të sëmurë çdo ditë, është gjithë zhul. Korridori, përveçse është i ngushtë, gjysma është zënë nga rafte të vjetra të papërdorshme. Njerëzit duhet të shtyjnë njëri-tjetrin për të lëvizur në ato pak centimetra që kanë ngelur bosh. Më tutje, tualetet janë të qelbura deri sipër e të zhgërryera nga shenjat e gishtërinjve. Situata është dramatike edhe në katet e tjera të Pediatrisë, ku era e duhanit të çan hundët.

Shitësit ambulantë ulërasin si në treg
Qendër Spitalore apo Qendër Tregtare,  kjo është pyetja që të shkon në mend sapo tenton të hysh në hyrjen e brendshme, të spitalit. Shitësit ambulantë, duken se janë zotër të hapësirave të marra me qera, e në rastet më banale janë të aftë të ulërasin mu përpara fytyrës për të blerë diçka tek ta. Edhe për këtë askush nuk shqetësohet madje në shumë raste, administrata e QSUT-së janë klientët më të sigurt tek mikrobuzët e sajuar si dyqane që janë të tejmbushur me gjithfarë produktesh.

Askush nuk kujtohet për plehrat....
Në spitalin numër 1 i njohur ndryshe si gjashtëkatëshi, pikërisht në hapësirat anësore të kësaj ndërtese që duket se gjendja e mjeruar e infrastruktura e munguar, e ka bërë këtë institucion të lëngojë prej vitesh, plehrat duket se kanë gjetur terrenin e përshtatshëm e qëndrojnë në harmoni prej kohësh. Të mbivendosura apo jo, aty mund të shohësh gjithfarë produktesh, që prej tubave të serumeve të cilat padyshim hidhen nga vetë personeli mjekësor, por edhe nga letrat e konsumit të përditshëm që janë flakur nga vetë familjarët e pacientëve.

Në QSUT mund të blejnë edhe pacientët e vegjël
Përmes gjullurdisë në spital, ku tregtarë e taksistë luftojnë për mbijetesë nuk mungojnë edhe lodrat e fëmijëve e veshjet shumëngjyrëshe, që shiten mu në zemër të spitalit, madje si për ironi të fatit, biznesi i tyre ecën me ritme të shpejta edhe përmes pluhurit e të nxehtit.

Në mungesë të shtretërve në pavijone, shërben dhe bari
Fatkeqësi apo paradoks fakti që gjatë mbasditeve pacientët në mungesë të stolave mund të dalin jashtë ambienteve të dhomave të spitalit ku përveç erës së keqe e papastërtisë mundohen të thithin pak ajër, në këtë rast as këtë gjë smund ta bëjnë dot se pluhuri mbytës, e mbeturinat në çdo cep të spitalit duket se kanë mbuluar çdo hapësirë të gjelbër. Por sërish pacientë apo të afërm e gjejnë një copëz vend me bar ku mund të jenë më rehat se në krevatet e larta e ajrit mbytës të dhomave në pavijone.

Qentë rrugaçë, mbretërojnë rrotull spitaleve
Ndërsa ambulancat e spitalit janë parkuar pjerrtas në një prej ambienteve në QSUT, duket se qeniet më të pashqetësuar për gjithë gjendjen mizerabël në spital janë qentë rrugaçë që bëjnë roje pikërisht përpara qendrës së gjakut. Këto kafshë duket se e kanë krijuar tashmë territorin e tyre madje ata i sheh tek lëvizin lirshëm, përpara shkallëve kryesore të gjashtëkatëshit, tek pediatria madje edhe përpara dyerve të disa ËC, ve private ku çmimi për këdo shënon 30 lekë. Paradoksi në gjithë këtë panoramë të dhimbshme është fakti që ndonjëherë të irrituar, pacientët shprehen se më mirë të shkojnë në ËC të e sajuara jashtë pavijoneve sesa në ato brenda ku muret duken se do të bien nga çasti në çast.

Baret dhe lokalet, domosdoshmëri për mjekë e pacientë
Ndërsa ambientet e jashtme, duket se lëngojnë nga papastërtitë e plehrat e hedhura pa kriter ambientet ku mund të qëndrosh për një moment qetësisht janë lokalet e baret të cilët duket se janë kthyer tashmë në domosdoshmëri për pacientët, të afërmit e tyre por edhe për bluzat e bardha. Madje një bar kafe e cila sapo ka filluar funksionin edhe pse me karrige plastike apo banak portativ, duket se e zbut zymtësinë e ambienteve të jashtme të QSUT-së e cila dominon në gri.

Bizneset mbijnë si kërpudha pas shiut në QSUT
Pikërisht aty ku, fatkeqësitë janë të ndërthurrura me gëzimin në kuptimin që një çast i vetëm mund të ndryshojë e ti japë jetës një kthesë të paimagjinueshme përpos mungesave të theksuara të kushteve, pacientët duhet të shqetësohen edhe për rrëmujën e krijuar nga subjektet e ndryshme private e nga papastërtia që çdo ditë e më shumë po mbyt edhe atë pak ajër që ndodhet midis mureve të spitalit. Ndërtesat e shumta që po mbijnë ditë pas ditë si kërpudhat pas shiut, duket se do të zaptojnë çdo hapësirë të Qendrës Spitalore Nënë Tereza emër që nuk përqaset më asnjë element të institucionit përkatës.

QSUT, strofulla e pijanecëve pas mesnate
Në baret e restorantet në brendësi të Qendrës Spitalore, shpesh herë mund të shohësh edhe qytetarë që të trishtuar e të lodhur nga gjendja katastrofale e mjedisve të shkatërruara, e të papastra në spital e kthejnë ndonjë gotë në baret e stisura nga gjithfarë pronarësh, madje në orët e vona nëse halli të zë e je në katet e para të pavijoneve nuk i shmangesh dot zhurmave e gjullurdive që bëhen në lokale të cilat shpesh herë i lënë pa gjumë pacientët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›