E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitalet në mjerim, Vasili dhe Dashi ngrenë biznese, fast food-e dhe lavazhe

Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, është shndërruar në han, jo me dy por me 700 porta. E, përkundër funksioneve primare të saj, mjekimit, shërimit dhe  qetësisë që pacientët duhet të gjejnë në këtë qendër spitalore, ata tashmë përpos mungesës së medikamenteve, shërbimit të personelit, higjienës, gjejnë aty dhe zhurmën, kaosin dhe mungesën totale

të kritereve të një ambienti spitalor. Kur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë u vu Nard Ndoka i PDK, si pjesë e koalicionit qeverisës të PD, qytetarët u ankuan se meqë shëndetësisa nuk ishte në profesion të tij, nuk do të mund ta risillte në vete këtë institucion gjigand shumë të korruptuar dhe aspak në shërbim të qytetarëve. Më vonë, ky dikaster iu dha PR, për tu drejtuar nga mjekja Anila Godo, edhe kjo e fundit, megjithëse e njihte mjaft mirë këtë fushë, duhet thënë se nuk nxori gjë në dritë, për të mos e përmendur që e zhyti më keq nga çishte. Shëndetësia është një nga fushat që ndoshta kërkon më shumë investime se asnjë tjetër aktualisht. Duke ditur këtë gjendje, ndoshta as Ndoka as mjekja Godo nuk ia arritën ditës që të mund të përthithnin sa më shumë investime në këtë sektor. Por nëse tani që këtë institucion e ka marrë në dorë LSI, sërish si pjesë e koalicionit qeverisës, duhet thënë se shëndetësia po prek fundin. Korrupsioni dhe babëzia e përfaqësuesve të kësaj force politike, ka shkuar deri në atë masë, sa në spitale jo vetëm që nuk bëhen investime, por tashmë nuk gjen dot asnjë termometër apo paracetamol. Si ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ashtu dhe drejtori i QSUT, Ilir Dashi që kur kanë marrë në dorë drejtimin e shëndetësisë, nuk kanë bërë gjë  tjetër veç propagandës sikur korrupsionin e bëjnë qytetarët dhe jo mjekët. Nga ana tjetër, fondet për investime, kanë përfunduar në xhepat e tyre, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë, por duke e lënë sistemin spitalor në një gjendje mjerimi dhe alarmante. Ndërsa tenderat i bëjnë në bashkëpunim Vasili dhe Dashi, ky i fundit ka gjetur dhe një metodë tjetër mjaft fitimprurëse, për të zhfytëzuar postin e tij sa më shumë që të jetë e mundur. Dhënia me qira e ambienteve spitalore në QSUT është kthyer në një biznes legal për Dashin, paçka se aty nuk zbatohet asnjë kriter nga subjektet private që kanë aktivitetin e tyre brenda këtij territori. Lokale, bare, fastfood-e, taksi, shitës ambulantë të cilët hyjnë deri në dhomat e pacientëve, lavazhe etj, janë disa nga subjektet private të cilat u sjellin veç shqetësime pacientëve, megjithatë Dashit i mbushin xhepat.

Last Updated on E Merkure, 16 Qershor 2010 01:14

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›