Qendër e re për të paguar taksa në Tiranë
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, inauguroi dje qendrën e re për pagimin e taksave në ish-Uzinën Mekanike në Tiranë, aty ku u zhvendos Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore.
Ngritja e kësaj qendre, e cila u quajt Qendra e Zhvillimit të Biznesit, është e përbërë prej 12 sportelesh, të cilat më përpara kanë qenë të shpërndara në Tiranë. Sipas kryebashkiakut, me këtë qendër synohet që shërbimi ndaj qytetarëve të jetë sa më i shpejtë. "Një hapësirë tërësisht europiane, me kushte njësoj si në Europë për të mirëpritur dhe mirëpritur të gjithë ata që paguajnë detyrime si sipërmarrës në Tiranë dhe të cilëve u jemi mirënjohës për të gjitha kontributet e tyre sepse është falë taksave dhe detyrimeve të tjera të çdo qytetari që kjo Tiranë ndryshon dhe zbukurohet dita-ditës. Më në fund, një ambicie e bërë realitet me kushte europiane për të mirëpritur të gjithë ata që paguajnë detyrime si sipërmarrës në Tiranë, të cilëve u jemi mirënjohës për të gjitha kontributet e tyre", - u shpreh Rama. Qendra është e pajisur gjithashtu edhe me informacione të përmbledhura për të sqaruar qytetarët mbi legjislacionin tatimor. Kryebashkiaku Rama shtoi gjithashtu se krahas këtij projekti, Bashkia po përgatit një tjetër projekt që do t’u shërbejë të gjithë tatimpaguesve të kenë mundësi të paguajnë online detyrimet e tyre. Në këto ambiente janë të vendosura gjithashtu Drejtoria e Kontrollit mbi Territorin Urban dhe Shërbimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.
22 Dhjetor 2010