Nuk përfiton pensionin e pleqërisë, ankesë te Avokati i Popullit
Pranë institucionit të Avokatit të Popullit, dje, shtetasja me inicialet L. N. paraqiti ankesën me dokumentet, faktet dhe pretendimet se prej më shumë se 10 muajsh i është mohuar pensioni i pleqërisë. Zonja shpreh shqetësimin e saj duke thënë se për këtë problem është ankuar në Ministrinë e Financave dhe në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, por ajo akoma nuk ka gjetur një zgjidhje. Zonja rrëfen se i është drejtuar Avokatit të Popullit pasi i ka konsumuar të gjitha rrugët e tjera duke u endur për muaj me radhë për të zgjidhur këtë të drejtë legjitime, sipas saj. Të drejtën e pensionit ajo e ka përfituar afërsisht një vit më parë, por akoma nuk po përfiton asgjë. Në përgjigjen e dhënë nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore thuhej se është kërkuar që problemi të trajtohet në Këshillin Administrativ të ISSH-së dhe se po trajtohet me hollësi mënyra se si ankuesi përfiton masën përkatëse të pensionit të pleqërisë sipas parashikimeve të ligjit.
Dëshmia
Zonja tha se ka rreth 2 vjet që e ka bërë kërkesën dhe ka plotësuar formularin për përfitimin në skemën e sigurimeve shoqërore, në pensionin e pleqërisë në këtë rast. Dokumentet si, të dhënat mbi gjendjen civile, kërkesën për llojin e pensionit që kërkon, vendbanimet dhe gjeneralitete të tjera, janë, sipas zonjës, edhe ato që duhet të paraqesë kur aplikon për pension dhe që i kishte me vete sepse i kërkoheshin edhe si fakte për formulimin e saktë dhe me prova të ankesës te Avokati i Popullit. Sipas zonjës, organet kompetente nuk e sqarojnë ku qëndron problemi që ajo nuk po merr prej 10 muajsh pensionin e pleqërisë. ”Aplikova në agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore që një vit para arritjes së moshës për pension, për përfitim të pensionit, sipas afatit dhe rregullave të caktuar nga ISSH-ja. Më pas, pra pas depozitimit të kërkesës pak para se të dilja në pension, dorëzova në këtë agjenci rajonale të sigurimeve shoqërore një fotokopje të librezës së punës dhe sipas kërkesës së tyre, kjo për të kryer verifikimin në kohë të historikut të punës; deklarova historikun e punës time, për të kryer verifikimin në kohë të historikut të punës. Duke mbajtur parasysh faktin se afati i caktimit të pensionit, 45 ditë pas pranimit të kërkesës dhe dokumenteve për pension, deri këtu më thonë që jam në rregull, sepse e kam kryer aplikim 12 muaj përpara mbushjes së moshës, duke u lënë strukturave të ISSH-së për të kryer verifikimin. Unë nuk kuptoj ku qëndron problemi, prandaj po i drejtohem institucionit të Avokatit të Popullit, sepse deri tani askush nuk më ndihmon”, - u shpreh zonja. Gjatë paraqitjes së ankesës dhe kërkesës për zgjidhjen e problemit në zyrën e Avokatit të Popullit, zonjës iu tha se kjo ankesë - por edhe nga praktika të mëparshme të trajtuara nga ana e këtij institucioni lidhur me fushën e sigurimeve shoqërore - shqetësimi i shprehur në këtë ankesë do të trajtohet si një çështje që nuk i përket thjesht një individi konkret, por si një problem, i cili prek dhe ndikon në trajtimin e masës së pensioneve të pleqërisë, të cilët kanë përfituar të drejtën e tyre të pensionit.
Procedurat
Dokumentet për pension pleqërie
1. Certifikatë lindjeje me fotografi.
2. Certifikatë e gjendjes familjare.
3. Certifikate martese (vetëm për kërkueset femra).
4. Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës, apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje.
5. Fotografi për librezën e pensionit.
B. Periudha e sigurimit dhe lloji i punës:
1. Libreza e punës.
2. Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
3. Vërtetim për periudhën e sigurimit të lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave.
4. Vërtetim gjykate për njohje vjetërsie në punë.
5. Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
6. Për personat që përfitojnë nga Ligji Nr. 7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve Politikë”:
a) dëshmi penaliteti;
b) vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik;
c) vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë.
C. Të ardhurat
1. Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës, sipas formularit të miratuar.
2. Vërtetim i pagës mesatare neto për 10 vitet e fundit të punës.
3. Pasqyra e printuar e pagave referuese, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 561, datë 12.8.2005.
II. Për pension invaliditeti
1. Certifikatë lindjeje me fotografi.
2. Certifikatë e gjendjes familjare.
3. Vërtetim i periudhës së sigurimit (është i njëjtë si për pensionin e pleqërisë), (modeli bashkëlidhur rregullores).
4. Vërtetim për profesionin apo natyrën e punës (për punëmarrësin), (modeli bashkëlidhur).
5. Dokument mjekësor për gjendjen shëndetësore (para fillimit të punësimit).
6. Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU-ja pranë SQU-së, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak.
7. Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë shkaktuar nga aksidenti në punë/sëmundje profesionale ose sëmundje të përgjithshme (për punëmarrësin).
8. Fletë-drejtimi për në KMCAP nga institucioni shëndetësor me shtretër, fletëdalje nga spitali dhe ekzaminimet e dokumente të tjera.
9. Vërtetim i mesatares së bazës së vlerësueshme nga 1.1.1994, deri në ditën e lënies së punës.
10. Procesverbal i aksidentit në punë.
11. Vërtetim nga organet e prokurorisë ose gjykatës, për rastet kur kërkohet të përfitohet nga Dekreti Nr.758, datë 1.4.1994, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”.
12. Vërtetim tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët.
22 Dhjetor 2010