Qindra punonjës të ALUIZNI-t, në janar të papunë
Me qindra punonjës të ALUIZNI-t, të cilët kanë nënshkruar kontratë të përkohshme punësimi, do të jenë të punësuar deri më 31 dhjetor 2010. Me hyrjen e vitit të ri, të gjithë këta persona do të konsiderohen pa punë. Ky është konkluzioni i vendimit të Këshillit të Ministrave. Vendimi i Këshillit të Ministrave për një shtesë në vendimin “Për përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2010, në njësitë e qeverisjes qendrore”, është ligjëruar pas publikimit të djeshëm në Fletoren Zyrtare. Sipas këtij vendimi, për punonjësit e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, afati i kontratës së punës shtyhet deri më 31 dhjetor 2010. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi do të përballohen nga të ardhurat e vetë institucionit. Ashtu siç është e përcaktuar dhe në ligj, një pjesë e të ardhurave nga mbledhja e faturave financiare të legalizimeve të objekteve informale kalojnë për funksionimin dhe mbarëvajtjen e punës në institucionin e ALUIZNI-t.
22 Dhjetor 2010