Festat e fundvitit, tregjet pushtohen nga produkte të skaduara ushqimore
Lizeta Duro
Tregjet e kryeqytetit, sidomos në festat e fundvitit, pushtohen nga produktet ushqimore të skaduara dhe të mbajtura në kushte higjieno-sanitare jo të mira. Për shkak të blerjeve në një kohë relativisht të shpejtë (brenda pak ditësh, pa pasur mundësi të kontrollohen nga instancat përkatëse), tregtarët abuzojnë duke mbushur tregun me produkte të pakontrolluara, çka rrit rrezikun për prodhime të skaduara. Sipas burimeve, gjatë kontrollit të ditëve të fundit janë konstatuar probleme të shumta në sigurinë e ushqimeve dhe janë evidentuar shumë produkte ushqimore të ambalazhuara që nuk shoqërohen me etiketa, që është elementi bazë që garanton konsumatorin për një produkt të sigurt për konsum njerëzor; mungonte data e skadencës, si dhe janë mbajtur në magazina pa kushtet bazë të trajtimit të produkteve ushqimore dhe jashtë standardeve higjieno-sanitare. Tjetër problem i konstatuar është dokumentacioni shoqërues i mallrave që vështirëson identifikimin e subjekteve prodhuese ose importuese, si dhe etiketimi në gjuhën shqipe i produkteve ushqimore të importuara.
Apeli
Drejtuesit e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit shpesh kanë evidentuar probleme të ndryshme në produktet ushqimore. Ata shprehen se inspektimet këto ditë janë intensive dhe të vazhdueshme për të mbrojtur konsumatorin nga produktet ushqimore të skaduara apo jo në gjendje për t’u tregtuar. Ata gjithashtu u kanë bërë apel qytetarëve të kenë kujdes kur blejnë jo vetëm në treg, por edhe në subjekte të ndryshme tregtare, shumice apo pakice, si dhe kur konsumojnë në lokale produkte të ndryshme ushqimore, të cilat në të shumtën e rasteve nuk shoqërohen me etiketën përkatëse, ku tregohen përbërësit apo afati i përdorimit. Sipas AKU-t, disa produkte që ruhen dhe tregtohen në kushte të papërshtatshme bëhen shkak për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme. Nga kontrollet e fundit të këtij autoriteti, i cili prej kohësh ka zëvendësuar kompetencat e pushtetit vendor, Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Bujqësisë, kanë rezultuar se shumë objekte tregtare prodhonin, trajtonin apo shisnin disa produkte ushqimore jashtë standardeve të kërkuara. Ndaj këtyre subjekteve janë vënë gjoba dhe janë marrë masa administrative deri në heqjen e licencës.
Tregtarët
Tregtarët përfitojnë nga rasti i festave të fundvitit dhe nga momenti që blerja e produkteve të ndryshme ushqimore është më e domosdoshme se kurrë për konsumatorët, për të shitur ushqime të skaduara ose që i kanë mbajtur të magazinuara prej kohësh. Në shumë tregje çmimet e të njëjtit produkt ushqimor ndryshojnë nga një subjekt në tjetrin pikërisht sepse ushqimet dhe pijet më pak të shitura gjatë vitit ose të skaduara, këta tregtarë i shesin nën kosto. Tregtarët që abuzojnë më shumë me cilësinë e produkteve ushqimore dhe me standarde të tjera, si trajtimi dhe magazinimi i tyre, janë evidentuar kryesisht në tregun ushqimor pranë Qytetit të Nxënësve, te ish-uzina "Dinamo", tregu te Pazari i Ri, por nuk përjashtohen edhe supermarketet më në zë ose të tjera pika në Tiranë që tregtojnë rrugëve të saj si shitës ambulantë.
Rritja e cmimeve përbën një tjetër problem që haset në festat e fundvitit, për këtë autoritetet e Ministrisë së Ekonomisë kanë filluar inspektime, duke marrë masa penalizuese ndaj të gjithë tregëtarëve që abuzojnë me rritjen e cmimeve të produkteve ushqimore.
22 Dhjetor 2010