E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëndrimet kundër PD-së nuk e cenojnë marrëveshjen tonë

Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, flet për situatën politike dhe zgjedhjet lokale

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, shpjegon në një intervistë për “Shqip” se ku ndahet e ku bashkohet LSI-ja dhe Partia Demokratike. Sipas Ramës, vota e deputetëve të LSI-së pro emërimit të disa gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe abstenimi në rastin e ngritjes së komisionit për masakrën e Tivarit nuk cenon thelbin e koalicionit qeverisës. Në këtë kuadër Rama thekson se LSI-ja po bëhet gati të nisë me PD-në edhe negociatat për zgjedhjet e ardhshme lokale, ku ajo do të kërkojë një përfaqësim në bazë të vlerave dhe jo thjesht numrave.

Javët e fundit, LSI-në dhe PD-në i kanë ndarë shumë qëndrime politike, të cilat kanë sjellë edhe votime të kundërta në Kuvend. Këtu kemi rastin e votimit kundër rrëzimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe abstenimin për ngritjen e një komisioni hetimor për masakrën e Tivarit. çfarë po ndodh?

Para se të flas në lidhje me ato që ju i konsideruat qëndrime të ndryshme të LSI-së në raport me qëndrimet e mbajtura nga PD-ja, dëshiroj të nënvizoj një fakt. Një vit më parë, LSI-ja mori vendimin për të qenë pjesë e bashkëqeverisjes në mazhorancën që kryeson PD-në. Ne u nisëm nga disa prioritete të qenësishme, të cilat kanë të bëjnë me fatet e vendit dhe lidhen me tërësinë e procesit të integrimit të Shqipërisë, me stabilitetin në qeverisje dhe funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit. Duke e konsideruar këtë angazhim të tonin në qeverisje si një kontribut për Shqipërinë europiane, duke e çmuar këtë si një vlerë të shtuar në qeverisjen e vendit dhe për t’i dhënë qeverisjes një dimension social e natyrisht për të krijuar edhe një bazë më të gjerë qeverisje, ne gjykuam dhe vendosëm të ishim pjesë e koalicionit. Këtë e bëmë kur ishim të bindur se ky ishte vendimi më i mirë i mundshëm dhe se ky ishte gjithashtu reflektimi më i përgjegjshëm pas leximit korrekt të votës së qytetarëve. Pra pranuam të jemi pjesë e një bashkëqeverisje së vlerave europiane, që jo vetëm se ruante stabilitetin politik, por edhe e konsolidonte, duke i dhënë dimensione europiane qeverisjes së vendit. Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi diferenca në qëndrimet tona me PD-në, veçoritë dhe integritetin tonë politik në qëndrime që kanë të bëjnë me episode apo raste për të cilat ju flisni. Vota e ndryshme nga ajo e PD-së është votë për raste specifike, natyrisht ne gjykojmë mbi atë çfarë ofrohet realisht. Në rastin e disa gjyqtarëve të rrëzuar me votën e mazhorancës që të mos jenë anëtarë të Gjykatës së Lartë, ne kemi votuar pro tyre, të nisur jo nga qëndrimi kritik ndaj personalitetit të secilit prej tyre, por të shtyrë nga bindja jonë se kontributet profesionale, integriteti intelektual dhe qytetarët janë dhe duhet të jenë dominantë për secilin individ. Për sa i përket abstenimit për komisionin hetimor për çështjen e masakrës së Tivarit, ne gjykojmë se Shqipëria europiane e 2010-s ka nevojë për investime politike dhe qeverisëse në funksion të qeverisjes europiane të vendit. Në këtë kuadër nuk mendoj se episode të tilla, që prej shumë kohësh në historiografinë shqiptare janë konsideruar si vepra antishqiptare të Titos dhe Rankoviçit, të mund të rikthehen në vëmendjen e opinionit publik me sensin se dikush është i interesuar ta ndryshojë kahun e akuzës. Gjithsesi ajo që është thelbësore lidhet me faktin se ne këtë e konsiderojmë një iniciativë të grupit parlamentar të PD-së. Duke respektuar ndjeshmëritë e tyre, ne nuk do të thotë që jemi një me ndjeshmërinë e tyre. Po kështu nuk do të thotë që votojnë ata në bllok për një çështje që cenon parimet e qeverisjes së vendit, të mund të jemi edhe ne pjesë e të njëjtit rresht apo e të njëjtit bllok, dhe të votojmë vetëm se mazhoranca bën kështu. Në vlerësimin politik të LSI-së, gjykimi dhe vlerësimi i ngjarjeve historike pikësëpari është çështje e historianëve, është çështje e forumeve shkencore dhe në ato raste kur politika përzihet sa më pak në ngjarje të tilla është më mirë për ngjarjet dhe për vetë politikën.

Si e vlerëson LSI-ja bashkëpunimin njëvjeçar me PD-në? A i qëndron ajo edhe pas një viti e bindur se në zgjedhjet lokale, të cilat janë në prag, do të vazhdojë bashkëpunimin me demokratët?

Absolutisht se votimi ndryshe për disa çështje të veçanta nuk ka të bëjë dhe nuk cenon aspak parimet bazë mbi të cilat u arrit marrëveshja e bashkëqeverisjes me PD-në. Edhe më lart e theksova se ajo çfarë bëri LSI-ja të ishte pjesë e qeverisjes lidhet me prioritetet e rëndësishme që kanë të bëjnë me fatet europiane të vendit, stabilitetin politik të qeverisjes, përshpejtimin e reformave me BE-në dhe krijimin e një modeli bashkëqeverisës mbi principe në shërbim të vendit dhe jo episode apo koniunktura, që në raste të ndryshme mund të bëjnë që ne të kemi qëndrim të ndryshëm nga PD-ja. Pra, perceptimi i gabuar se pas këtyre rasteve ka probleme në funksionimin e koalicionit nuk duhet mediatizuar më tej, sepse nuk ka asnjë të vërtetë. Ajo që është e vërtetë dhe e rëndësishme për qytetarët e vendit dhe për vetë zhvillimin e vendit, lidhet me faktin se koalicioni është funksional në përputhje me parimet mbi të cilat është krijuar.

Nisur nga fakti se koalicioni sipas jush po funksion në mënyrë të kënaqshme, cilat janë ambiciet e LSI-së për zgjedhjet e ardhshme lokale?

Ky koalicion është një koalicion vlerash dhe po t’i referohemi përfaqësimit në qeverisjen e vendit do të kuptojmë që dimensionet e pjesëmarrjes janë kushtëzuar nga vlerat qeverisëse dhe jo nga vlera aritmetike e numrave. Për sa u përket zgjedhjeve lokale, të cilat janë në prag, ne jemi në fazë të riorganizimit tërësor të strukturave të partisë, për t’i vënë ato në funksion të këtyre zgjedhjeve. Por natyrisht që mbi bazën e kontributeve dhe të vlerave që ne do të ofrojmë, do të jemi të hapur për të biseduar në paritet dhe partneritet të plotë. Ne jemi të bindur se në zgjedhjet lokale duhet të fitojnë pikësëpari qytetarët, standardet e zgjedhjeve demokratike. Po kështu duhet të fitojnë ata që janë të besuarit e qytetarit dhe në momentin e duhur ne do të gjykojmë, duke biseduar edhe me PD-në për gjithçka do të lidhet me taktikat elektorale. Për sa i përket strategjisë elektorale ajo është e njohur dhe ka të bëjë me afishimin e plotë të kandidaturave të LSI-së përballë qytetarëve të vendit, ka të bëjë me rritjen e angazhimit qytetar dhe politik të gjithë përfaqësuesve të LSI-së në shërbim të qytetarëve e të vendit dhe natyrisht mbi bazën e këtyre parimeve besoj se do të jemi ndihmesë e fitores edhe në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

Ditët e fundit është vënë re një rritje e toneve dhe akuzave e disa përfaqësuesve të LSI-së ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama, që kanë sjellë edhe padi penale. A është ky një qëndrim apo strategji e organizuar e LSI-së ndaj PS-së, apo janë debate të një natyre personale?

Ka pasur një polemikë të ndezur ditët e fundit, e shfaqur në mënyrë të dukshme në një seancë të Kuvendit të Shqipërisë, polemikë që u shtri edhe në akuza reciproke midis individëve të përfshirë në të. Natyrisht ajo që është e rëndësishme për LSI-në ka të bëjë së pari me faktin se polemikat dhe debatet politike ne i ndërtojmë mbi principe dhe në funksion të alternativave qeverisëse të vendit. Nga kjo pikëpamje nuk më rezulton që drejtuesit apo lidershipi i LSI-së të kenë argumentet apo zotësinë për të qenë pjesë e debatit. Duke qenë të paaftë për të hyrë në një debat që lidhet me alternativat qeverisëse janë kapur tek episode që kanë të bëjnë me deklarime të pasurisë së përfaqësueseve të ndryshme, në rastin konkret të një përfaqësuesi të LSI-së në qeverisjen e vendit. Natyrisht që politika pranon edhe polemika dhe akuza, por ndërkaq është në edukatën e atij që bën polemika, që akuzon të pranojë edhe replikën, apo kundërpërgjigjen. Në rastin konkret kemi të bëjmë edhe me iniciativa për t’ju drejtuar organeve të drejtësisë dhe natyrisht kjo është rruga e duhur, që cilido i akuzuar të mbrohet atje ku është institucioni që garanton këtë mbrojtje. LSI-ja asnjëherë nuk e ka pasur si qëllim në vetvete dhe nuk e ka pjesë të strategjisë së saj politike akuzën pa baba apo shpifjen e cilitdo individ. Ne si parti dialogun dhe debatin politik e ndërtojmë mbi baza alternativash, qëndrimesh politike, ofertash qeverisëse. Në lidhje me akuzat nuk dua t’ju kushtoj më shumë vëmendje, sepse ka episode për të cilat qytetarët kanë informacion më shumë se çfarë keni dëgjuar ju nga polemikat në Parlament.

Mes PD-së dhe PS-së kanë nisur negociatat për gjetjen e një zgjidhje për krizën politike, e cila prej një viti është prezente. Si i shihni këto përpjekje dhe çfarë qëndrimi ka LSI-ja në kuadër të këtyre negociatave?

Prej kohësh LSI-ja ka qenë për administrimin përmes dialogut politik të të gjithë problematikës që i ka shoqëruar këto zgjedhje dhe kemi këmbëngulur në mënyrë permanente që palët të ulen në tryezën e dialogut. Kjo, sepse në respektim të Kushtetutës ka gjithnjë hapësira për të gjetur argumente, apo instrumente që të çojnë te kompromisi. Prandaj këto negociata i shikojmë si një hap pozitiv. Dëshirojmë që këto negociata të jenë jo vetëm serioze, por edhe produktive. Kjo, pasi qytetarët presin zgjidhje nga lidershipet politike, për të ecur në rrugën e integrimit evropian. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në Kuvend, në qeverisje apo në çdo tryezë tjetër politike, me qëndrimet tona konstruktive në lidhje me këtë proces.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›