E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMIN MAALOUF: Një shkrimtar mes Lindjes dhe Perëndimit

Librat e rinj

Ai është “princi” i këtij viti. Pas Ismail Kadaresë, çmimi “Princ i Asturias” për letërsinë i ka shkuar Amin Maalouf-it, shkrimtar libanez, i cili prej vitesh jeton në Francë. Juria, e cila u mblodh në Oviedo të Spanjës, ka bërë një zgjedhje të vështirë, mes 27 kandidatëve për këtë çmim. I lindur në Bejrut, në vitin 1949, Maalouf, e kaloi fëmijërinë në Egjipt, për t’u kthyer më pas në Liban e për t’u transferuar në Francë, për shkak të shpërthimit të luftës civile në vendin e tij. Kultura e tij është një përzierje: dy gjuhë, arabishtja dhe frëngjishtja, ku nuk mungojnë ndikimet libaneze, egjiptiane dhe europiane. Ai është i krishteri mes myslimanëve dhe arabi në Europë... Debuton si shkrimtar në vitin 1983, me “Kryqëzatat, parë nga arabët”, por suksesi do t’i vijë tre vite më pas, me “Luani afrikan”. Ai është fitues i çmimit “Goncourt” në vitin 1993. Në vitin 2000 rresht së shkruari. Ose më mirë, ndryshon. Kalon në shkrimin e libreteve të operave. Deri më tani ka shkruar tre të tilla, e fundit i përket këtij viti. Por para kësaj, Amin Maalouf braktisi profesionin e tij prej gazetari, për t’iu kushtuar tërësisht letërsisë. Me gjuhë arabe dhe kulturë franceze, ai është autor i rreth dhjetë romaneve (të përkthyera në më shumë se 20 gjuhë) ngjarjet e të cilëve janë të vendosura në Lindjen e Mesme, Afrikë apo Mesdhe. Veprat e tij synojnë ngaherë të gërshetojnë lidhjet e bashkekzistencës mes botës lindore dhe asaj perëndimore. E bën këtë, sepse ai beson fuqimisht se artistët, shkrimtarët luajnë rol thelbësor në afrimin e Perëndimit me botën myslimane. Sipas tij, ideale do të ishte një miqësi mes artistëve të Mesdheut, të cilët mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve. Ky objektiv, megjithatë, mbetet për shkrimtarin vetëm një dëshirë dhe sigurisht që nuk mund të ndodhë kaq shpejt, pavarësisht se janë të shumtë ata që punojnë në këtë drejtim.
Tema e bashkëjetesës mes kulturave dhe traditave të ndryshme është thelbësore si në mendimet ashtu edhe në letërsinë e tij.

“Për mua, dialogu mes dy kulturave nuk është një shkëmbim mes grupeve, por është mbi të gjitha, një shkëmbim mes individësh. Kulturat nuk janë entitete të ndara, ato jetojnë vetëm përmes personave që e përfaqësojnë e që nuk janë asnjëherë identikë. Në një vend, individët, bartës të kulturave të ndryshme, shpesh bashkëjetojnë në të njëjtin qytet, në të njëjtën lagje, shkojnë në të njëjtën shkollë apo punë. Dhe në aftësinë e tyre për të bashkëjetuar, të dëgjohen reciprokisht, të ndikohen prej njëri- tjetrit, ja ky është dialogu mes kulturave”, thotë shkrimtari. Maalouf është një ndër personazhet më interesante të jetës intelektuale franceze. Në letërsinë e tij, një vend të rëndësishëm ka zënë edhe tema e origjinës. “Ndonjë tjetër do të kishte folur për ‘rrënjët’... Por nuk bën pjesë në fjalorin tim. Fjala ‘rrënjë’ nuk më pëlqen, e aq më pak imazhi që evokon. Rrënjët ngulen në tokë, përzihen me baltën dhe zhvillohen në errësirë. E mbajnë pemën të burgosur qysh kur lind dhe e ushqejnë me një kërcënim ‘Nëse lirohesh, vdes’. Pemëve u duhet të dorëzohen, kanë nevojë për rrënjët: njerëzit, jo. Ne marrim frymë në dritë, synojmë të kapim qiellin dhe kur futemi në dhe, e bëjmë këtë për t’u kalbur. Limfa e tokës së lindjes nuk vjen nga këmbët në kokë; këmbët shërbejnë vetëm për të ecur. Neve na interesojnë vetëm rrugët: janë ato që na udhëheqin – nga varfëria në pasuri, ose në një tjetër varfëri; nga skllavëria në liri, ose drejt vdekjes së dhunshme. Premtojnë, na drejtojnë, na shtyjnë e më pas na braktisin. E atëherë gjendemi të vdekur siç ishim kur lindëm, buzë rrugës që nuk e zgjodhëm. E kundërta ndodh me pemët, rrugët nuk mbijnë nga dheu rastësisht, ashtu siç ndodh me një farë. Ashtu si ne, edhe ato e kanë një origjinë. Një origjinë iluzore, sepse rrugët nuk kanë asnjëherë një pikënisje reale. Para një kthese kishte një tjetër, e para asaj një tjetër akoma.... unë e kam origjinën nga një tribu nomade në një shkretëtirë që ka dimensionet e vetë botës. Vendet tona janë oaze që lëmë pas kur burimi thahet; shtëpitë tona janë tenda të veshura me gurë; kombësitë tona janë të vendosura nga datash apo anijesh. Përtej brezave, përtej deteve... ajo që na lidh njëri me tjetrin është vetëm tingulli i një emri: ‘atdheu’. është si një besim, një besim antik... Nuk i kam përkitur asnjë besimi fetar, ashtu sikundër nuk kam qenë asnjëherë pjesë e një kombësie. Sigurisht, është e vërtetë që nuk kam vetëm një të tillë. Në të kundërt, e gjej shumë mirë veten në aventurën e familjes sime të madhe, nën të gjithë qiejt: në aventura e në legjenda. Ashtu si grekët antikë, identiteti im është i lidhur me një mitologji. E di shumë mirë që është false, e megjithatë e adhuroj sikur të ishte një e vërtetë. është megjithatë, e çuditshme që deri më sot nuk i kam kushtuar asnjë frazë rrugëtimit të familjes sime. Por është po aq e vërtetë se këto heshtje janë pjesë e trashëgimisë sime”. Kështu shprehet në një nga librat e tij, Amin Maalouf, i cili vendosi t’i shkruante të gjitha romanet dhe esetë e tij jo në arabisht, por në frëngjisht, gjuhë të cilën e kishte folur që në ditët e shkollës në Liban. E ndoshta për këtë arsye, por edhe për shumë të tjera, ai është kthyer në Francë simboli i urës së komunikimit mes Lindjes dhe Perëndimit.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›