E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Janë vendosur grada në mënyrë të pa arsyeshme

SHKRUAN: Fejzi Braushi 28-09-2011 11:47

Reforma në forcat ushtarake, përshtatja e tyre sipas standardeve të NATO-s dhe roli i Shërbimit Informativ të Ushtrisë kanë qenë çështjet kryesore që kanë ngjallur jo pak debate në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku për më shumë se tri orë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, u është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të deputetëve opozitarë. I shoqëruar edhe nga dy gjeneralë, Imami ka hedhur poshtë si të pavërteta të gjitha akuzat e ngritura nga socialistët në lidhje me përdorimin e SHIU-t në detyra jashtë kompetencave, ndërsa ka pranuar problematikat që kanë ekzistuar në fushën e gradimeve dhe emërimeve të ushtarakëve.

Mbledhja

Fillimisht kanë qenë deputetët e majtë ata që kanë shtruar pretendimet e tyre, ku që në krye kanë evidentuar se edhe raportet e partnerëve ndërkombëtarë janë konstatuar mungesa serioze në arritjen e standardeve që kërkon NATO për një forcë që është pjesë e saj, siç është edhe ushtria shqiptare. “Edhe raporti mbi konferencën e 4-t të integrimit me ACT (Komanda e transformimit te NATO-s) thotë se Siguria kombëtare aktuale dhe strategjitë ushtarake nuk janë harmonizuar me rishikimin strategjik të mbrojtjes dhe nuk janë renditur sipas konceptit strategjik të NATO-s, udhëheqjes politike dhe Procesit të Planifikimit të mbrojtjes së NATO-s”, - u shpreh në fjalën e tij deputeti socialist Piro Lutaj. Ndërkohë që përfaqësuesit e tjerë të PS-së kanë vënë theksin tek emërimet e ushtarakëve në detyra të ndryshme, duke akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë drejtuesit e ministrisë për zbatimin e kritereve politike.

Imami

Lidhur me këtë pretendim, Imami ka hedhur poshtë si të pavërtetë një gjë të tillë, duke theksuar se në çdo rast është marrë parasysh ligji. Megjithatë, ai ka pranuar se në vite ka patur problematikë për vlerësimin e ushtarakëve nga komisioni i gradave, duke evidentuar se një gjë e tillë ka ardhur edhe për shkak se sistemi i vlerësimit ka boshllëqe, pasi nuk njeh detyrat e rëndësishme që mund të kryejë një ushtarak. “Është e vërtetë që komisioni i gradave të gjeneralëve vendosi grada në mënyrë të pa arsyeshme”, - tha Imami, duke deklaruar se për të patur drejtësi në këtë vlerësim kam urdhëruar që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të shohë dhe anët e detyrave të shtruara nga një ushtarak, para se të bëhet vlerësimi përfundimtar për gradën. Por një gjë e tillë është kundërshtuar nga opozita, të cilët e kanë konsideruar një veprim të tillë si jashtëligjor. Ndërkohë ministri Imami dhe dy gjeneralët e pranishëm në këtë takim kanë mohuar që Shqipëria të ketë armë kimike, megjithëse përfaqësuesit e majtë kanë këmbëngulur për të kundërtën. Madje, për këtë pikë deputeti Ilir Gjoni ka nxjerrë dhe një dokument, sipas të cilit ndërmarrja e eksportit të armëve dhe municioneve ka raportuar për lëndë të rrezikshme kimike. Ministri i Mbrojtjes ka pohuar gjithashtu se gjithçka është thënë për çështjen e SHIU-t ditët e fundit, për dublim të ShISh-it, nuk është e vërtetë. Ai ka pranuar se është bërë i nevojshëm reformimi i këtij shërbimi, por ka mohuar në mënyrë kategorike që ai të ketë kryer ndonjëherë detyra jashtë fushës që i përcakton ligji.

Replikat mes Imamit, Gjonit dhe Oketës

Arben Imami: Problemi themelor për mbështetje me kapacitet të plotë është blerja e autoblindave, që kërkon një shumë shumë të madhe. Për sa i përket elementëve të tjerë, blerja do të nisë që nga viti i ardhshëm. I gjithë ky plan mund të shkojë deri më 2014 ose 2016.

Piro Lutaj: ǒpo ndodh me ShIU-n? A janë të vërteta lajmet se keni përgatitur një projektligj dhe a ka kryer ky shërbim veprime jashtë funksioneve dhe detyrave që i jep ligji? Kam parasysh këtu deklaratën e Kryeministrit për 21 Janarin.

Arben Imami: Ajo që mund t’ju siguroj unë është që nuk duhen interpretuar ashtu siç janë interpretuar fjalët e Kryeministrit. Mundet që ju të keni të drejtë ashtu siç e interpretoni, mund të jap dhe unë një sqarim korrekt, nuk është ashtu si mendoni ju çështja, përkundrazi. Jam i gatshëm që me t’u larguar media mund t’ju them dhe mund ta sqaroj, mund t’ju jap informacion të klasifikuar, është çështja që të mos dalë më prapa, më falni se po flas kështu hapur.

Asllan Dogjani: Kryeministri e ka thënë publikisht atë, thuaje dhe ti publikisht.

Arben Imami: Jo, jo për këtë çështje, nëse keni dëshirë të informoni median për çështje të klasifikuara është çështja e juaj, problemi është se janë informata të klasifikuara. Është çështje që po të thuhen këtu të mos thuhen në media, ka çështje që media nuk mund të informohet. Unë po të them se jam plotësisht dakord me atë çfarë ka thënë Kryeministri, por kjo nuk nënkupton implikim të ShIU-t. Nuk e implikon në asnjë gjë jashtë forcës së armatosur. Nëse jeni dakord ju dhe mazhoranca, unë rri dhe e zhvillojmë mbledhjen me dyer të mbyllura. Reformën e ShIU-t dhe bashkërendimin po themi edhe me institucionet e tjera, është bërë plotësisht me partnerët të tjerë, madje po them nën drejtimin rigoroz të partnerëve. Jam i gatshëm, ju personalisht, t’ju informoj dhe për raportin që ka bërë Betika për këtë reformë. A po bëhet një draft? Sikurse ju thashë mbi bazën e këtyre reformave që janë bërë, ligjit i ShIU-t që është bërë shumë vite më përpara, ka nevojë t’i rikthehemi, gjithmonë jo për të krijuar palosje me ShISh-in, por përkundrazi për të ndarë më qartë, më mirë dhe misioni i ShIU-t do të jetë forcat e armatosura, autoritetet e komandimit. Megjithatë, ne sot nuk e kemi gati këtë projekt për ShIU-n, kur ta mbarojmë si ministri, do ta konsultojmë me aktorët e tjerë. Unë shpresoj se do të jetë një projekt i mirë.

Ilir Gjoni: Kemi rezerva apo armë kimike?

Imami: Nuk ka, zoti Gjoni, nuk ka armë kimike dhe bakteriologjike, ato janë shkatërruar me programin “Name Lugar”. Po mund të them më tepër, nëse ka paqartësi, ka lëndë kimike dhe luftarake, ne kemi dhe benzinë avionësh të mbetura në vitet ‘80. Kemi lëndë kimike jo luftarake, jo të rrezikshme në kuptim e ndotjes, po që janë materiale të tepërta dhe të panevojshme, për trajtimin e tyre aktualisht jemi duke u konsultuar në OSBE për këtë çështje dhe për të gjendur zgjidhje në një kohë sa më shpejt.

Çështja e gradave dhe komisioni. Të flasim hapur, është e vërtetë kjo, është e vërtetë që komisioni i gradave të gjeneralëve vendosi grada në mënyrë të pa arsyeshme, le të themi. Dhe kur një komision vendos në mënyrë të pa arsyeshme, çdo kryeministër, çdo ministër, çdo titullar shteti, në këtë radhë edhe Presidenti është i detyruar të bëjë balancat e nevojshme.

Pirro Lutaj: Ju keni krijuar një problem te ushtarakët dhe ata j’ua lënë ju përgjegjësinë. Ju thoni se komisioni i parë bëri vlerësime jo reale. Është e pafajshme se në atë komision kanë qenë gjeneralët. Dhe shefi i Shtabit që ju e bëtë vjet.

Arben Imami: Shefi i Shtabit ka qenë anëtar i komisionit, por nuk ka bërë vlerësim, sepse u emërua Shef Shtabi. Vlerësimet i ka bërë gjenerali që është tani kryetar komisioni.

Pirro Lutaj: Ministri i Mbrojtjes ka të drejtën ligjore të nxjerrë rregulloren për gradim në zbatim të ligjeve.

Arben Imami: Por për të mbushur ndonjë mangësi për oficerë që kanë kryer detyra të karakterit të posaçëm.

Ilir Gjoni: Si janë bërë emërimet?

Arben Imami: Cilat emërimet?

Ilir Gjoni: Emërimet e Shefit të Shtabit apo të tjerëve.

Arben Imami: Emërimi i Shefit të Shtati është prerogativë e Kryeministrit dhe me dekret të Presidentit.

Ilir Gjoni: Kryeministri duhet të zbatojë ligjet e vendit dhe jo çfarë i do qejfi atij.

Arben Imami: Besoj se Kryeministri ka bërë një zgjedhje shumë të mirë.

Ilir Gjoni: Po këtu u tha se e partisë edhe gjëja më e rëndësishme. Këtë po e shohim përditë. Ne jemi të ndërgjegjshëm.

Gazmend Oketa: Kush e tha?

Ilir Gjoni: Ju e thatë. Po deshët merreni zbardhni procesverbalin.

Oketa: Po ishte shaka ajo.

Gjoni: Pse shqetësoheni?

Oketa: Ne do bëjmë edhe ndonjë batutë, shaka

Gjoni: Këto s’janë thjesht batuta, por shprehen edhe në veprimet konkrete. Pjesa dërrmuese e anëtarëve të komisionit kanë qenë pjesë e forcave të armatosura në drejtim dhe dihet dhe është rregull dhe normë që sidomos në ushtri në qoftë se ne kemi ushtarakë me një gradë më të lartë s’mund të bëhet kapërcimi nga një nivel më i ulët duke kapërcyer gradë.

Oketa: Po bëra batutë.

Gjoni: Më vjen keq...

Oketa: Po të të vinte keq, s’e përmendje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›