E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeni që proteston për njerëzit

Nga Express më 21 qershor 2011 në ora 15:30

Askush nuk mund të flasë për moshën e Llukanikut apo si ai u bë pjesë krejt papritur e protestave të sindikalistëve grekë, veç diçka dihet: prej tri vitesh qeni në fjalë nuk ka munguar në asnjë protestë të Athinës.

Llukaniku, i cili emrin e ka marrë nga ngjyra e trupit të tij që përkon me atë të sallamit (greqisht kështu quhet një lloj sallami), është pjesë e pandashme e protestave dhe gjendet gjithmonë në ballë të tyre.

Në fotot e agjencive të huaja, ai duket madje më guximtar se vetë njerëzit pasi ndodhet gjithmonë në vijën e parë të “luftës”.

Qeni rebel ka shfaqur një alergji të pashpjegueshme ndaj uniformave policore.

Ai u leh atyre duke tentuar edhe ti kafshojë, madje ka raste kur Llukaniku gjëmon makinat dhe motorët e forcave speciale dhe jo pak herë, kthehet tek protestuesit i plagosur si pasojë e goditjeve me shkopinj nga ana e forcave të rendit.

Në fakt, lajmi se një qen në Athinë po tregon guxim më te madh se vetë njerëzit, qarkulloi për herë të parë që në vitin 2008.

Një tjetër katërkëmbësh i quajtur Kanellos, ishte si të thuash “mësuesi” i Llukanikut.

Sipas protestuesve, Kanellos u vra nga policia por Llukaniku nuk ngurroi ta zëvendësonte në një kohë tepër të shkurtër.

Tashmë Llukaniku mbrohet me kujdes nga protestuesit pasi ka zënë në zemrat e tyre një rol po aq frymëzues sa dhe të vetë portreti i famshëm i Che Guevarës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›