Qenia si univers letrar
Kritika/ Shkrimtari Halit Shamata, para lexuesit me romanin e ri “Një vit i brishtë”
Një vit i brishtë i Halit Shamatës
Romani “Një vit i brishtë” i shkrimtarit Halit Shamata, një tekst i shtrirë në kohë dhe hapësirë, qysh në titull lajmon për një situim të tjetërsojshëm në sendërtimin e realitetit letrar, krejt të ndryshëm nga krijimtaria e mëhershme. Në faqet e librit më të fundit, që ta afron dhe largon përditshmërinë, monotoninë dhe trishtimin e saj, madje këtu ngjet edhe një përmbysje e plotë shkrimore, që shpërfaq nivelin artistik, ku tashmë edhe ka mbërritur autori në ligjërimin letrar, gjejmë realitetin e përthyer përmes një optike autoriale
Romani “Një vit i brishtë” i shkrimtarit Halit Shamata, një tekst i shtrirë në kohë dhe hapësirë, qysh në titull lajmon për një situim të tjetërsojshëm në sendërtimin e realitetit letrar, krejt të ndryshëm nga krijimtaria e mëhershme. Me këtë libër, si thënie dhe artthënie, si mesazhe dhe përthyerje narrative dhe shprehëse, si gjetje dhe shpalim, si frymë dhe atmosferë, autori i njohur si poet dhe prozator, në fakt shënon fare qartë një përmasë tjetër letrare, duke shpërfaqur më shumë se tjetërkund shenjat e një shkrimi modern në prozë. Në faqet e librit më të fundit, që ta afron dhe largon përditshmërinë, monotoninë dhe trishtimin e saj, madje këtu ngjet edhe një përmbysje e plotë shkrimore, që shpërfaq nivelin artistik, ku tashmë edhe ka mbërritur autori në ligjërimin letrar, gjejmë realitetin e përthyer përmes një optike autoriale.
Riformulime strukturore dhe rrëfimore
Një aspekt krejt i përveçëm shkrimor, i tekstit të romanit më të ri të autorit, janë edhe riformulimet e prekshme letërsishkrimore, që e nxjerrin në pah prirjen e kërkimit dhe të shenjimit letrar, si një ndryshim i pandërprerë. Bie në sy në aspektin që e nënvizuam, veçmas riformulimi origjinal strukturor dhe kompoziconal, sepse libri përbëhet nga 15 kapituj, ku një pjesë e tyre janë të gjatë e disa prej sosh më të shkurtër, pa harruar këtu edhe “Epilogun” përmbyllës të librit, që rimerr dhe përmbledh linjat e shpalosura në roman. Pikërisht në këtë përbërje, klasike dhe të njohur si komponim në prozën shqipe, autori ka ndërfutur dhe gërshetuar me kapitujt kryesorë ndarjet, madje herë-herë edhe nënndarjet, që kanë të bëjnë kryesisht me jetën erotike, me shpirtëroren e prekshme në çdo prani artistike, duke shpërfaqur kështu edhe ndryshimin, madje edhe prurjen autoriale, të aspiruar në të gjitha krijimtarinë e autorit. Ky formulim i veçantë kompozicional, siç e dëshmon hapësira e tekstit, pa dyshim edhe situatat e tjera tekstologjike, është shoqëruar edhe me një rikonceptim të rrëfimitarisë dhe të vetë rrëfimtarëve, të pranishëm në faqet e librit. Kryesisht, në pjesën më të madhe të romanit, operohet nëpërmjet rrëfimit të personazheve, me epiqendër Adnan Hukamaj, ku personazhet ia marrin fjalën njëri-tjetrit nga goja, por kaq shpejt edhe ia lënë, porse në momente të caktuara autori zbulohet tërësisht, madje me një shkëlqim të beftë dhe lakmues, duke e braktisur dhe hedhur mbas krahëve distancën e zakonshme me lexuesin, si një pengojcë e letrares klasike. Prania e larmisë së rrëfimtarëve dhe sidomos e ngjyresave të narratologjisë së ndryshueshme dhe dinamike, e bën edhe më të prekshme situimin e riformulimit shkrimor autorial, në strukturën dhe narratologjinë e shpalosur, në një lëvizje të përhershme. Janë këto momente pikante, strukturore dhe rrëfimore, të një konceptualitetit vetanak dhe bashkëkohor, të cilat e ftojnë gati hapur lexuesin që të bëhet pjesë e ndodhive dhe e fatit të protagonistëve të librit, sepse përndryshe ka rrezik që të mbetet larg tekstit letrar, pa hyrë në marrëdhënie me të, të formatuar qëllimisht kështu, si një marrëdhënie e domosdoshme e krijuesit me lexuesin, duke ruajtur gjithsesi mëvetësinë secili prej këtyre dy faktorëve thelbësor të artit të fjalës.
Rrafshet ndërkohore
Teksti i romanit “Një vit i brishtë”, me një hapësirë tekstologjike të zgjeruar, i derdhur me këto shenjëzime letrare, pra të një kërkimi për riformulime dhe rikonceptime autoriale, ngërthen brenda fabulës dhe intrigës, nëse mund të flitet për këto elemente, të cilat në fakt shpalosen në gjendje dinamike, disa caqe kohore të gërshetuara. Kështu, një element shoqërues dhe thelbësor i tekstologjisë së këtij romani është e kaluara e afërt, koha e diktaturës, madje prej nga atje zënë fill mjerimet dhe shkatërrimet e qenies njerëzore, në gjysmën e planetit, veçmas asaj shqiptare. Ajo kohë pa kohë, gjithnjë sipas materies së librit të konceptuar si një prozë e ndryshme, në rrëfim dhe komponim, në linjat fabulore dhe në esencat shprehëse, s’na ndahet në çdo hap që hedhim dhe në çdo frymëmarrje, e mbase kjo ndjesi e dyzuar është dhe do të mbetet, pothuajse e pashmangshme edhe për disa mote. Me vlerë të posaçme dëshmuese dhe letrare, si dhe pjesë e rrafsheve kohore është edhe atmosfera e tanishme, pra koha kur ka rënë sistemi i mëparshëm dhe, kinse po ngrihet ngadalë tempulli i lirisë, demokracia, e cila në këtë hark kohor ku edhe gjendemi ka shijuar jo pak pengime dhe vështirësi, jo pak kthime dhe reminishenca, për ta shpallur praninë e saj, pa frikë dhe zor. Një element kohor, simbolik dhe metaforik më tepër, është edhe moti i brishtë, që më së shumti i përkon vitit 1990, vijës ndarëse me të kaluarën e frikshme, që megjithatë u ndërrua pa shumë pasoja, i shpërfaqur si kahje. Mbase, ka gjasa më shumë që të jetë veçuar edhe motit i hidhur 1997, çasti kur shqiptarët e shtetit amë provuan një shprishje të shtetit dhe të vetvetes. Ndoshta, nuk është edhe asnjëri prej këtyre dëshmive faktike, por jemi thjesht në një fiksion autorial, pra në një situatë fund e krye të trilluar, që si nëntekst të shpie natyrshëm tek një paratekst i hershëm i viteve të hidhura 1913-1914, kur dashakëqijtë, afër dhe larg trojeve arbnore, deshën ta zhbënin Shqipërinë, formatuar nga Kadare tek romani “Viti i mbrapshtë”, e kjo ndjesi preket thjesht si prani atmosfere shpirtërore. Por, sipas tekstit të kësaj proze, të gjatë dhe të ristrukturuar si prozëshkrim, brishtësia lidhet më fort me fatin individual, pra me fatin njerëzor të një njeriu që ka lindur realisht më 29 shkurt, pra në një mot të brishtë, siç e përjeton mendësia e popullit një vit të tillë, prandaj ai mbetet i ri, por edhe i mangët krahasuar me të tjerët, sepse ditëlindja e tij festohet më rrallë ose edhe më shpesh, duke e nxjerrë në dritë brishtësinë e vet.
Shembja e kështjellave të moralit
Libri i fundit i H. Shamatës, përpos vlerave të prekshme letrare që përcjell, shënon edhe një fakt origjinal në lidhje me vlerat morale, të njeriut dhe të shoqërisë ku po gjallojmë, mbase të qëndrimit të ri etik, që po formatohet dita-ditës në shoqërinë demokratike. Morali dhe mungesa e tij, mbase amoraliteti i shpërfaqur si vulë e re morale, përbëjnë shenjat dhe shenjëzimet e kërkimeve autoriale në faqet e librit, në aspektin e thënies dhe mesazheve që përçon. Në një kuptim të ngushtë, çka formatohet në situatat e larmishme të librit, ky tekst është vënë më tepër në mbrojtje të dashurisë, si ndjenjë e bukur njerëzore, të dashurisë kudo që ajo gjëllin, pavarësisht përjetimit dhe konceptimit të kësaj ndjesie, madje edhe kur dhunohet dhe mbytet në detin e tradhtisë. Martesa, natyrisht forma e saj ku mungon dashuria, paraqitet si një pengojcë e stërzgjatur e shkatërrimit të qenies njerëzore, madje si kështjellë e frenimit të shpërfaqjes së plotë të njeriut dhe të ndjesive të holla, e sidomos të prekjes së ndjenjës së lashtë sa vetë bota, të dashurisë. Aty lëvizin gra dhe burra, që përgjithësisht u mungon dashuria, madje pikërisht për këtë mungim tronditës ata vetë botërisht dhe pa grimën e vramendjes edhe krenohen në mënyrë paradoksale. Fare pranë tyre lëvizin dhe frymojnë edhe burra dhe gra të panginjur me dashurinë. Të gjithë, megjithatë, e dinë se është trembur dashuria, se gati po merr arratinë, ndjenja më e bukur e njeriut, por rrallë, sa rrallë, takon njerëz që dëshirojnë ta pranojnë të vërtetën e mbështjelljes së familjes shqiptare dhe më gjerë sesa kaq, me një tis amoraliteti, mbase me një rrokullimë moraliteti, që mërgon të sotmen dhe të ardhmen. Kjo anë, pra etika e mungesës së moralit, po ashtu edhe etika e teprisë morale, pra e të jetuarit për opinion dhe duke iu nënshtruar mentalitetit të këtillë, mbase e riformulimit të vlerave shpirtërore, është paraqitur artistikisht edhe si pjesë e ndarë, përmes shkrimit të pjerrtë, por edhe si hallkë përbërëse e kapitujve kryesorë të romanit, që shpallin edhe mëtimet thelbësore autoriale. Pranëvënia dhe përballëvënia e personales dhe shoqërores, e ku të dyja notojnë në hallakamën e përtrimjes së shpirtërores, së shpirtërores pa dromca fshehjesh dhe hipokrizie vrastare, shpërfaq njërën nga vlerat e qenësishme të kësaj proze, që të zgjon kërshërinë për ta lexuar me një frymë.
Prania ëndërrore
Një peshë specifike të ndjeshme, kompozicionale dhe narrative, në faqet e romanit ka edhe stilema e ëndrrës, e cila në fakt s’bën asgjë tjetër veçse përforcon idenë se jemi në një realitet imediat letrar, në një realitet të mëvetësishëm, ku imagjinata ka rolin parësor. Ëndërrimi në libër, përveç formave të zakonta të shpërfaqjes, të prekshme në letërsi, këtu zbulohet edhe si ëndërrim konkret, madje si një ëndërr e pandërprerë e heroit qendror të romanit, Adnanit, të një ëndrre kronike, që e përforcon idenë e një trajtimi të dyzuar dhe të dyfishtë të realitetit letrar. Ëndrra si përftesë dhe kumt kulmon sidomos me formën e dy ëndrrave të papritura:
- Ëndrrës së autorit, si një paradoks i beftë, ku autori duket sikur i shkëput marrëdhëniet me tekstin fare hapur dhe me qëllim të caktuar komunikimi.
- Të para ëndrrës së lexuesit, duke e nxjerrë zbuluar dhe duke e vënë në zgrip të ekzistencës shkrimin klasik të prozës dhe duke e përfshirë kështu tekstin e këtij romani, më së shumti në shtjellat e ligjërimit bashkëkohor.
Pra, si pak kund në prozën shqipe të kësaj kohe, këtu kemi edhe dy ëndrra më të fuqizuara, të cilat përplasen përdhunisht dhe me fatlumni në tërësinë e tekstit. Nga njëra anë ëndrra e shkrimtarit, e shënuar si ëndrra parake, pra e autorit që e lë pozicionin e vet dhe bëhet njësh me lexuesin, dhe që rreket më kot dhe endje, që të pushtojë hapësirat e leximit dhe të rileximit, duke të ndërmendur kështu Roland Bartin, teksa shprehej: “...shkrimi është e vërteta, jo e vetes (e autorit), po e ligjërimit:” tek libri “Aventura semiologjike”. Nga ana tjetër, ëndrrat dhe zgjëndërrat e lexuesve, një mal i papushtueshëm i shqyrtimit dhe verifikimit, në shumicën e vet në situatën e mosleximit, që më kot përpiqen të kuptojnë dhe të shpjegojnë misterin letrar, atë që vetëm shijohet duke u lexuar, ndërsa shpjegimi i fundmë i enigmës letrare as që ekziston realisht. Pikëprerja e ëndërrimit të shkrimtarit dhe të lexuesit, pra e dy faktorëve jetikë të ekzistencës së letrares, gjithnjë sipas teoritikës bashkëkohore, shënon zanafillën, por edhe majat e artit të fjalës, si ligjërim i tillë.
Përftesa e dyzimit
Romani voluminoz “Një vit i brishtë”, i cili i kapërcen treqind e pesëdhjetë faqet, por i formatuar nga autori si një eksperiment i përfunduar shkrimor, ku shpaloset poetika klasike dhe moderne, si ndërlidhje e pashmangshme dhe funksionale, që sendërton një botë të çuditshme, enigmatike dhe të tejpashme, njëherit, një realitet letrar absurd, që brendashkruan konkreten dhe iluzionin, ëndrrat dhe aspiratat, dëshirat dhe shpresat e qenies njerëzore në kapërcyellin e mijëvjeçarit të ri. Kamera e shkrimtarit, si një tejqyrë mjaft dinamike dhe e shumëfishtë, fokusohet në sendërgjimin e një teksti që ka marrëdhënie të shumëfishta me kohën dhe hapësirën, si metafizikë etike dhe estetike. Në fakt, në një hapësirë tekstologjike të shtrirë dhe të larmishme, aty shpaloset një pamje e dyzuar dhe e dyfishtë, pra si një përftesë tipike e shkrimit të prozës, sepse kemi një ndërthurje të habitshme të komunizmit, me vrasje dhe përdhunime, me tanishmërinë kohore, kur edhe preken përmbysjet e mëdha shoqërore dhe politike, megjithatë në pjesën dërrmuese të rrejshme dhe të frikshme, në kuptimin e mospërfundimit të tyre, çka dëshmohet nga marrëdhëniet e njerëzve me bankën, që kryen më tepër edhe funksionin e një detaji letrar, por edhe të një elementi që dëshmon ndryshimin e sistemit, si dhe futjen në ekonominë e lirë të tregut. Ngjizja e një realiteti artistik, si gërshetim qëllimor dhe funksional i dykohësisë, mbase më tepër i pakohësisë jo vetëm e ka ngjeshur kohësinë, por edhe i ka veshur një shenjë pamatësie jo si rrjedhë, por si frymë që mbetet në hapësirat e pamatshme ndërkohore. Subjekti i librit, patjetër i shprishur dhe jashtë linjave klasike dhe për më tepër i munguar si tipar, ndonëse ngjarjet gjezdisen në të dyja kohët, pra në të dikurshmen e afërt, e cila duam apo s’duam, megjithatë na qarkëzon ditët, netët, mendimet, ëndrrat, madje edhe vetë ndjenjat, por dhe të tashmen gri, ku rrëzëllimat e përmbysjes së plotë nganjëherë kapen në ngërç prej nostalgjisë dhe përgjumjes së verbër, ku njerëzia, një masë jo e vogël e tyre, tashmë e konvertuar në tregtarë flamujsh dhe kartëmonedhash, të mbetet në mendje për ikjet dhe kthimet në realitetin e vrazhdë ku frymojnë si qenie njerëzore. Megjithatë, romani më i ri i H. Shamatës ngërthen në esencën e vet letrare mbarimin e një viti dhe prekjen në krahët e një viti të brishtë, pra e një viti jo dosido, por të mbushur me bëma dhe ndodhi nga më të ndryshmet, e në këtë hark kohor, të një viti ku shkurti ka njëzet e nëntë ditë. Pikërisht për këtë arsye ai është më tepër një vit ngatërrestar, ku në hapësirat e tekstit të larmishëm, peshë specifike bart kalvari ëndërror, në të cilin notojnë dhe mbijetojnë protagonistët e librit, pa dyshim edhe të gjithë të pranishmit. Prania e ëndrrave, natyrisht e ëndërrimit të shumëfishtë, ku rriskon edhe vetë autori rolin e vet, madje deri në shpërfaqjen e tij në hapësirat e tekstit, e një teksti të vjerrun në çengelin e dykohësisë dhe aspirimit të pakohësisë jo si rrethanë dhe kontekst shkrimor, por si materie tekstologjike, si frymë dhe klimë e shpërfaqur, e po ashtu edhe përthyerjet rrëfimore, kaq të shpeshta dhe funksionale, ku autori shfaqet dhe fshihet pambarimisht, me praninë gjithashtu të rrëfimit të personazheve, që më tepër kallëzojnë ëndrrat e tyre, pra si rrëfim i përjetimeve ëndërrore, ëndrrat e para natën dhe ditën, madje edhe me sytë hapur, ëndrrat ku ngjiten në majë dhe, si pa të keq rroposen në fund të humnerës, rishtas. Dyzimi, si element kumti i thënies dhe artthënies, i ndërthurjes së kohërave, si dhe i teknikave shkrimore të prozës moderne dhe klasike, kë shërbyer në këtë rast si një gur i shënimit dhe shenjimit të esencës etike dhe estetike të romanit.
Dinamika e personazheve
Shpesh personazhet e romanit, ku natyrshëm veçohen Adnani, qendra e universit letrar të librit, Alfira Kandri ose ana tjetër e medaljes, Petrit Droja, Marsel Oka, e dhjetëra të tjerë, që duken dhe zhduken pamabarimisht, të cilët nëpërmjet kësaj dinamike formatojnë universin estetik të tekstit. Ato, pa dyshim edhe personazhet e tjera të librit, janë shpërfaqur në të gjitha aspektet individuale dhe karakterizuese, tipizuese dhe shprehëse, aq sa ngjajnë më shumë me njerëz që i ndeshim në udhë. Pra, shumica e personazheve, pavarësisht se janë kryesorë apo episodikë, janë skicuar dhe portretizuar larg skemave dhe monotonisë së zakontë, të pranishme në letrat shqipe të kësaj ndërkohe. Figurimi i tejdukshëm dhe funksional i personazheve, ndonëse pa e humbur misterin që bartin, si dhe narratologjia e larmishme, i japin librit një ngjyresë sureale, që megjithatë nuk i shkëput penjtë me përditshmërinë e qenies, si dhe i bën personazhet më dinamik dhe më të kapshëm. Surealiteti i figurave, natyrisht që buron prej vetë natyrës sureale të strukturës tërësore të librit, si dhe prej pentagramit rrëfimor të endur si përmbysje e vazhdueshme. Bashkëlidhja e toneve sureale me ato që prekim çdo ditë, pra realizmin e dukshëm, ka bërë që personazhet, qoftë si përshkrim dhe skicim, qoftë si dialog i shpalimit të tipareve më qenësore, të vijnë me dritëhije të forta, gjithnjë si tregues i siluetimit të kohës së pakohësisë, që tenton dhe rrok një univers letrar të papërsëritshëm, përmes një prozëshkrimi bashkëkohor. Nga ana tjetër, hapësira ku luhen ngjarjet e romanit, ka një pikë referenciale thelbësore, që është Tirana dhe prej aty merr udhë ndodhia, madje ndodhitë, nëse mund të emërtohen kështu ato çka ngjasin në faqet e librit, duke kapërcyer qiellin dhe detin shqiptar, me të gjitha format e mundshme, me viza dhe gomone, duke prekur në krye të herës tokën e ëndërruar ndër kaq mote dhe shekuj. Pikëprerjet kohore dhe hapësinore, por edhe linjat paralele pa asnjë pikë takimi, të ndërthurura në faqet e romanit, megjithatë i japin kuptim fluturimit të qenies njerëzore, në kërkim të njerëzores dhe shpirtërores, universit të qenies, edhe pse në shumicën e vetë ëndërrore. Lënda që ka mundësuar realizimin e një teksti letrar, me këto shpërputhje dhe riformulime, gjetje dhe matarim letrar, e një materie të vetvetishme, është gjuha e autorit ose siç e shpreh qartë Hajdeger, “qela e shkrimtarit”, e cila shpaloset në të gjithë treguesit si gjuhë e rrëfimit, përshkrimit, por edhe si dialog i papritur dhe karakterizues i personazheve. Në këtë aspekt, me rëndësi jetike dhe ngjyruese, është ndërfutja e të folmeve të krahinave të Shqipërisë së Veriut, Jugut dhe të Shqipërisë së Mesme. Pra, ky roman formaton një tekst të hapur në ligjërim letrar dhe gjuhësor, çka e ka pasuruar dhe freskuar situatën shkrimore të këtij romani, aq sa të fanitet me një mozaik të papritur ligjërimor, por edhe duke sugjeruar “humbjen” qëllimore të stilit, e cila përbën dhe shënon vetë stilin e autorit, e një teksti ndër më të realizuarit në letrat shqipe pas viteve ’90, që lexohet me përqendrim dhe kënaqësi, me dëshirë dhe emocion, madje edhe me dëshirën për t’u rikthyer në shfletimin e tij për shumëçka e veçmas për thurjen dhe kapërthurjen e ndërliqshme rrëfimore dhe kompozicionale.