E Shtunë, 31 Tetor 2026

ILO: Sektorët kryesorë, punëtorë në të zezë



Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) në Shqipëri kërkon vendosjen e dialogut social për të shmangur “punën në të zezë”

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) në vendin tonë shprehet e shqetësuar për përhapjen e gjerë të punës së padeklaruar në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Sipas kësaj organizate, informaliteti apo siç njihet “puna në të zezë” ka ndikim negativ në ekonominë e një vendi dhe rrezikon plotësisht plotësimin e standardeve për një punë të denjë.

ILO

“Shqetësimi i vazhdueshëm dhe në rritje i partnerëve socialë në Shqipëri për ndikimin negativ dhe përhapjen e gjerë të punës së padeklaruar në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare kërkon ndërmarrjen e hapave të rëndësishëm për t’iu kundërvënë kësaj dukurie nëpërmjet veprimtarive që çojnë së pari në një dialog social dhe partneritet më të fortë”, thuhet në një deklaratë të zyrës së ILO-s në Shqipëri, duke vënë theksin sidomos në informalitetin në sektorin e ndërtimit, që përbën edhe një komponent të rëndësishëm dhe në rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit. Shqetësimi i ILO-s vjen pas disa apeleve të përsëritura se informaliteti rrezikon seriozisht plotësimin e standardeve të punës së denjë, duke dhënë pasoja shumë të rënda sidomos në sigurimin shoqëror dhe shëndetësor të punonjësve. Gjithashtu, puna informale rrezikon të prodhojë breza pa pension, ose me pensione të reduktuara në të ardhmen.

Studimi

Vitin e kaluar, ILO, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Federatat e Sindikatave të Ndërtimit dhe Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë, ndërmori një studim për të identifikuar burimet dhe shkaqet e punës së padeklaruar në sektorin e ndërtimit dhe bashkërisht u formuluan rekomandime për të luftuar punësimin informal. Sipas këtij studimi, pas identifikimit të problematikave, qeveria shqiptare ka marrë masa legjislative dhe rregullatorë, të cilat duhet të kontribuojnë në reduktimin e punësimit informal në të gjithë sektorët e ekonomisë kombëtare. Midis masave më të rëndësishme kanë qenë: reduktimi i taksës për biznesin e vogël, reduktimi i ndjeshëm i kontributeve të sigurimeve shoqërore si për punëdhënësit, ashtu edhe për punëmarrësit, zbatimi i taksës se sheshtë, kanalizimi i pagesës së rrogave nëpërmjet sistemit bankar, zbatimi i sistemit të pagave referuese në sektorin privat si edhe krijimi i kushteve kufizuese për shoqëritë të cilat marrin pjesë në tenderët publike.

Ndërkaq, studimi vë theksin në dobësitë që vijojnë të kenë institucionet që duhet të parandalojnë ekonominë informale. “Dialogu social në nivel kombëtar, rajonal dhe sektorial duhet të iniciohet dhe të promovohet bashkërisht nga partnerët e ILO-s”, - thuhet në rekomandimet e studimit, të cilat i janë bërë publik institucioneve shqiptare.

ILO sugjeron që qeveria dhe partnerët socialë duhet të krijojnë një grup trepalësh pune për të përgatitur propozime për ndryshimin e Kodit të Punës, duke përfshirë elementë që mbrojnë përfaqësuesit e punëtorëve në vendin e punës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›