Prokuroria e Përgjithshme i drejtohet Kuvendit me një kërkesë
Hetimi
Evazioni fiskal, kërkohet imuniteti i deputetit Neranxi
Kërkesa firmoset nga Kryeprokurorja Ina Rama dhe dërgohet në Kuvend. Deputeti i LSI-së akuzohet për evazion fiskal në dëm të shtetit në vlerën 136 milionë lekë. Reagon deputeti Neranxi: I gatshëm për të lënë imunitetin, akuzat ndaj meje, me prapavijë politike
Prokuroria e Përgjithshme dorëzon në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit për deputetin e LSI-së, Nikollaq Neranxi. Kjo kërkesë është firmosur dje nga Kryeprokurorja Ina Rama, e cila i kërkon Kuvendit rrugë të lirë për hetimin e deputetit, pas hetimeve të prokurorëve, të cilët kanë zbuluar shkelje të deputetit në shifrën 136 milionë lekë në dëm të shtetit shqiptar. Kjo kërkesë vjen një vit pasi Tatimet denoncuan në Prokurorinë e Tiranës deputetin e LSI-së, për evazion fiskal të kryer nga deputeti. Kalimi i mallrave në doganë i padeklaruar u zbulua fillimisht nga Tatimet, të cilat i referohen vitit 2004-2005 për abuzime edhe të vetë doganierëve në këtë çështje. Por, Task-Forca e kryeqytetit, pasi pa që në këtë çështje përfshihej një deputet, ia kaloi për kompetencë organit qendror të akuzës për hetime të mëtejshme. Argumenti i përdorur për shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e dosjes për hetim të mëtejshëm në Prokurorinë e Përgjithshme ka të bëjë me faktin se gjatë hetimeve gati 10-mujore nga Prokuroria e Tiranës, doli në skenë emri i deputetit Nikollaq Neranxi, i cili për shkak të imunitetit mund të hetohet vetëm nga organi qendror i akuzës, si autoriteti i vetëm që ka kompetencat për hetimin e personave me imunitet. Në prill të vitit të shkuar, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave depoziton në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal, sipas të cilit, denoncohej fakti se subjekti tregtar në pronësi të deputetit Nikollaq Neranxi iu është shmangur detyrimeve doganore. Kallëzimi i doganave i referohet periudhës 2003-2004, kohë gjatë së cilës kompania e Neranxit ka importuar mallra të ndryshëm, kryesisht artikuj ushqimorë, pa i deklaruar në doganë, çka do të thotë se u është shmangur të gjitha detyrimeve doganore e fiskale, të cilat kapin vlerën e 136 milionë lekëve. Në denoncimin e Drejtorisë së Doganave citohen një sërë detajesh që kanë të bëjnë me veprimtarinë e subjektit tregtar në pronësi të deputetit të LSI-së, i cili akuzohet se duke ushtruar ndikimin e tij, ka bërë të mundur kalimin e mallit në mënyrë të jashtëligjshme.
Reagimi i Neranxit
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi, lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar Kuvendit, për heqjen e imunitetit të tij si deputet. Neranxi tregohet i gatshëm për dorëzimin e imunitetit, duke u shprehur publikisht se nuk është e nevojshme që të kërkohet heqja e imunitetit nga Kuvendi. Ndërsa lidhur me akuzat për evazion fiskal, deputeti Neranxi shprehet se është vënë në dijeni për hetimet e Prokurorisë së Tiranës nga disa persona, të cilët, sipas tij, janë marrë në pyetje në lidhje me “të ashtuquajturën kontrabandë të zhvilluar në vitet 2001-2004, nga persona dhe automjete të kompanisë së biznesit që drejtohej prej babait tim të ndjerë”. Pas këtij informacioni, sipas Neranxit, në datën 2 mars 2009 i ka kërkuar takim prokurorit të ngarkuar me këtë çështje, i cili gjatë seancave të pyetjes me persona të ndryshëm, ka insistuar të nxjerrë lidhje dhe implikim të tij me këtë hetim të iniciuar prej tij dhe njerëzve të komanduar të doganave. Po sipas Neranxit, në datën 11 mars 2009, me kërkesën me numër protokolli 305, i është drejtuar me shkrim Prokurores së Përgjithshme, zonjës Ina Rama, e cila i është përgjigjur në datën 12/03/2009, në të cilën vihet në dijeni se takimi mund të zhvillohet tek prokurori Arben Kraja në datën 26 mars 2009. “Ndërkohë sot, Parlamentit të Shqipërisë i është paraqitur kërkesa për heqjen e imunitetit tim. Kërkesa procedurale e prokurorisë duket se është formale, pasi personalisht kam shprehur zyrtarisht gatishmërinë për t’u vënë në dispozicion të prokurorisë për pyetje”, - deklaron deputeti i LSI-së, Neranxi. Në reagimin e tij, deputeti Neranxi i klasifikon akuzat e prokurorisë me prapavijë politike