E Diel, 1 Nëntor 2026

Qentë pa maska në parqe, qytetarët shkojnë të çlodhen por terrorizohen

qen-pa-maska—-Nga Delinda Muçollari—-

Tiranë- Kujto qenin dhe bëj gati shkopin! thoshte dikur me urtësi populli. Në ditët e stome, kur kjo kafshë është bërë pjesë e pandashme e shumë familjeve, kjo shprehje nuk gjen vend, por me siguri një këshillë tjetër do t`u hynte në punë të gjithëve:

Shiko qenin dhe kujtohu t`i vësh maskën! Sugjerimi për të gjithë dashamirësit dhe pronarët e qenve është jo pak i vlefshëm. Gazeta IDEA denoncon një fenomen të rradhës.

Pavarësisht rrezikut që përbëjnë për qytetarët e tjerë, pronarët e qenve të mëdhenj siç janë raca pitbull, vijojnë ende t`i shëtisin kafshët e tyre pa masa sigurie në mjedise të populluara. Ky fenomen vihet re jo vetëm në rrugët e Tiranës por më së shumti pranë zonës së liqenit artificial, ku kujtdo që kalon i bien në sy qentë pa maska apo ndonjëherë të lënë të lirë edhe pa zinxhirë. Mund të duket si një akt pakujdesie, por që në fakt përbën një shkelje ligjore sepse që prej vitit të kaluar Bashkia e Tiranës njoftoi vendosjen e sanksioneve të forta për qentë pa maska dhe pa rrip që lëvizin brenda parqeve dhe ambjenteve çlodhëse në kryeqytet. Njoftimi i dhënë marsin e vitit të kaluar nga kreu i policisë bashkiake Florenc Hoxha bën fjalë për qentë e rracave të konsideruara si të rrezikshëm siç janë pitbull, doberman, pastor etj. Policia bashkiake vazhdon të jetë e pranishme në këto mjedise dhe bën inspektime të rregullta, por ajo që vihet re është e dukshme: Asnjë ndryshim!

Shoqëruesit e qenve kalojnë fare pranë punjonjësve të policisë dhe çdo gjë kalon pa u vënë re apo duke u neglizhuar tërësisht, thua se janë punësuar për të shëtitur e për të mbushur mushkëritë me ajër të pastër e vetëm kaq. Pyetjeve tona se përse lejohet ende që qentë pa masa sigurie të lëvizin lirshëm në rrugët e parkut artificial, punonjësit e bashkisë u janë përgjigjur prerë se këto raste janë të rralla, ndodhin larg syrit të tyre dhe për çdo qytetar që shkel këtë rregull po merren masa.

Nëse për pronarët e qenve shëtitja me këto kafshë në mjedise të hapura është një veprim krejt i zakonshëm, e kundërta ndodh me qytetarët e tjerë, të moshave të ndryshme, fëmijë apo të moshuar, të cilët shpesh herë frikësohen prej këtyre kafshëve që duken aspak miqësore. Për disa, shëtitja e lirë dhe pa maska e qenve është bërë shkak që të shmangin qëndrimin në parqet dhe ambjentet çlodhëse. Një e moshuar shpreh për IDEA-n shqetësimin  e saj ndaj këtij fenomenti:

Dikur vija më shpesh këtu pranë liqenit se kishte qetësi për të gjithë, po këto vitet e fundit të gjithë marrin edhe qentë me vete. Pale, i lënë edhe të ecin e të vrapojnë ku të duan. Frikë kemi, po, se nuk i dihet asnjeherë kafshës, edhe të sulmon.

I njëjti reagim vjen nga prindërit, të cilët e frekuentojnë zonën e liqenit bashkë me fëmijët e tyre: Jemi dakord që secili të mbajë kafshën e tij, por që kjo të ndodhë me disa kritere. Ne gjithsesi përpiqemi t`i mbajmë fëmijët pas vetes që të shmangim çdo rrezik të mundshëm.

Shqetësimi i qytetarëve nuk është pa arsye. Njihen raste të shpeshta të sulmeve të kafshëve ndaj njerëzve, fëmijë apo të rritur. Në qershor të vitit 2011 në Tiranë, një djalosh 5-vjeçar luftoi për jetën në sallën e operacionit pas kafshimit nga një qen pitbull, i cili i shkaktoi edhe dëmtime të trurit. Në maj të po këtij viti një vogëlush 3-vjeçar nga qyteti i Durrësit u sulmua nga qeni i shtëpisë së tij ndërkohë që ishte duke luajtur në dhomë. Raste të rënda të agresionit të kafshëve ndaj njerëzve janë shënuar kudo në botë dhe janë bërë shkakiI marrjes së menjëhershme të masave të sigurisë, gjë e cila nuk ndodh në vendin tonë.

Nuk dihet dhe për sa kohë ky fenomen do të vazhdojë të shqetësojë qytetarët e Tiranës. Për momentin situata është e qetë dhe askush nuk po reagon fuqishëm. Mesa duket duhet të ndodhë një incident i rëndë në mënyrë që të gjithë ta kthejnë vëmendjen drejt këtij fenomeni e të fillojnë të merren realisht masa.

Qentë pa maska në parqe, qytetarët shkojnë të çlodhen por terrorizohen

Qentë pa maska në parqe, qytetarët shkojnë të çlodhen por terrorizohen ◄ Back Next ► Picture 1 of 15

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›