E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qera favorizuese për Delijorgjin

TIRANË - Tashmë, 25 ditë nga ngjarja tragjike e Gërdecit, ku nga shpërthimi i një sasie të konsiderueshme municionesh humbën jetën 24 njerëz dhe u plagosën me qindra të tjerë, dalin në pah fakte që tregojnë se biznesmeni Mihal Delijorgji ka qenë “i përkëdhelur” nga të gjithë. Ditë pas dite, prokuroria zbulon fakte dhe të dhëna për hetimin, nga të cilat rezulton se firma “Albademil”, e administruar nga Delijorgji, është favorizuar në ushtrimin e veprimtarisë së saj në Gërdec. Të dhënat më të fundit që janë bërë pjesë e hetimit, kanë të bëjnë me një krim të mundshëm ekonomiko-financiar lidhur me qiranë që kjo firmë i detyrohet shtetit shqiptar për veprimtarinë gati njëvjeçare që ka ushtruar në një truall që konsiderohet si zonë ushtarake. Bëhet fjalë për vendin që Mihal Delijorgji ndërtoi fabrikën për demontimin e predhave rreth një vit më parë, që sipas ushtarakëve, më përpara ka shërbyer si repart tankesh. Por shkelje e Delijorgjit dhe e zyrtarëve që toleruan atë nuk është thjesht vendi ku u la të bëhej çmontimi i armëve, por detyrimet financiare që firma “Albademil” duhet të paguante për shfrytëzimin e zonës ushtarake. Por edhe kjo shkelje që tashmë është bërë pjesë e hetimit të prokurorisë, është thuajse e papërfillshme po të krahasohet me kontratën që Mihal Delijorgji ka bërë me strukturat ushtarake që kanë nën administrim ish-tunelet e tankeve në Gërdec. Aktualisht, prokuroria ka në dorë dokumente dhe fakte që vërtetojnë se “Albademil” do të shfrytëzonte një sipërfaqe prej 200 metrash katrorë në zonën ushtarake, por të dhënat flasin ndryshe. Nga një verifikim paraprak që i është bërë zonës së përdorur për ndërtimin e fabrikës dhe ushtrimin e demontimit të predhave, rezulton se ka një sipërfaqe disa herë më të madhe se ajo e parashikuar në kontratë. Kjo shkelje nuk është verifikuar nga askush dhe Delijorgji nga nisja e veprimtarisë së tij ka paguar një qira minimale vetëm për 200 metrat katrorë të zyrtarizuara, ndërsa hapësirën tjetër e ka përdorur falas, pavarësisht faktit se është një zonë ushtarake në pronësi të shtetit. Kjo shmangie nga pagesa e qerasë për një sipërfaqe të konsiderueshme toke dyshohet se i ka sjellë buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes një humbje të konsiderueshme sipas prokurorisë, por një verifikim i tillë është ende në fazën fillestare. Aktualisht, prokuroria po mbledh të dhëna lidhur me zyrtarët apo ushtarakët që toleruan Delijorgjin dhe nëse këta persona kanë përfituar të holla nga ky lëshim që kanë bërë. Por qiraja e tokës është vetëm njëra nga pistat e krimit ekonomiko-financiar që po shqyrtohet nga prokuroria, e cila paralelisht po investigon mbi diferencën e çmimit të fishekëve që “Meico” i shiti kompanisë amerikane “SAC”, si dhe pagesën për transportin e këtyre municioneve, të cilat u çuan drejt fabrikës së vdekjes me automjetet e ushtrisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›