E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata: Pinari paraqet rrezik

TIRANË - Gjykata e Apelit Tiranë vendosi të rrëzojë kërkesën e dy avokatëve mbrojtës të ish-drejtorit të “Meico”, Ylli Pinari, të cilët kërkuan një masë më të butë sigurie për klientin e tyre, i cili nuk përbën rrezikshmëri shoqërore. Paraditen e djeshme trupi gjykues i Gjykatës së Apelit, i kryesuar nga Edmond Islami, shqyrtoi kërkesën e avokatëve të Pinarit, Ardian Leka dhe Artan Zeneli, të cilët kërkuan ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, e cila disa ditë më parë vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e “Meico”s-, mbi të cilin u ngrit akuza “shkelje e rregullave të sigurisë mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Sipas avokatëve mbrojtës, i pandehuri Pinari nuk paraqet rrezikshmëri, ndaj dhe kërkuan një masë më të lehtë sigurie. Mbrojtja argumentoi se klienti i tyre ishte jashtë Shqipërisë kur ndodhi ngjarja në Gërdec dhe se më pas ai u paraqit vetë në organin e akuzës. Për sa i takon veprës penale për të cilën akuzohet Pinari, mbrojtja pretendoi se kompania “Meico” ka në fokus të veprimtarisë së saj tregtinë e municioneve luftarake (blerjen dhe shitjen e mallit) dhe jo sigurimin dhe ruajtjen e municioneve luftarake. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, trupi gjykues vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” që Gjykata e Shkallës së Parë mori pak ditë më parë ndaj të pandehurit Ylli Pinari. Ish-drejtori i ndërmarrjes “Meico” u ndalua me akuzën “shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” pas shpërthimit më 15 mars në fabrikën që demontonte municione luftarake në fshatin Gërdec. Së bashku me të në pranga u vu edhe administratori i firmës “Albademil”, Mihal Deliorgji, dhe drejtori teknik i kësaj firme, Dritan Minxholi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›