“Qershi mbi art dhe trashëgimi” në Maliq, organizohet edicioni i parë i panairit në Kolanec

“Qershi mbi art dhe trashëgimi” në Maliq është edicioni i parë i festës së Kolanecit, festë të cilën bashkia e Maliqit ka si synim ta kthejë në një traditë të përvitshme.
Ky edicion i parë vjen si një përpjekje për të promovuar një nga vendet me natyrën më të bukur të kësaj bashkie. Për organizatorët, kjo është fillimi i një feste që do të promovojë turizmin në këtë zonë.
“Jemi në një nga fshatrat më të bukur të bashkisë Maliq, jo vetëm për natyrën, por edhe traditën dhe historinë. E meritonte Kolaneci këtë festë dhe të jetë ky një fillim i mbarë”, tha kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu
“Qëllimi është rivitalizimi i të gjithë zonës së Malqit, por mendoj që tani Kolaneci nuk do flasë më me të shkuarën, por me turizmin dhe do të jetë një vend turistik bashkëkohor”, u shpreh Brizida Gjikondi, organizatore e eventit.
Për banorët e zonës, kulinaria e pasur dhe tradita që ka Kolaneci vlen për të promovuar të gjitha vlerat dhe për ta kthyer në një vend turistik.
Në këtë event nuk munguan emra të njohur të muzikës si Eranda Libohova dhe Kozma Dushi, teksa pjesëmarrës ka qenë edhe Ansambli Skënderbeu dhe grupi polifonik Agimi.
Gazetar: Ll. Saro
/rtsh.al/