Çelet sezoni veror në Fier, Subashi: Po punohet për zhvillimin e qëndrueshëm

Darëzeza e Fierit ishte edhe këtë vit pikëtakimi për çeljen zyrtare të sezonit veror. “Festa e Valëve” mblodhi dhjetëra pjesëmarrës që shijuan një program festiv me këngë e valle myzeqare si dhe u bënë pjesë e sporteve të rërës dhe garës me kuaj. Kryebashkiaku Armando Subashi tha se perla e pashfrytëzuar e Adriatikut, këtë sezon veror pret dyfishim të turistëve, ndërsa hapi më i rëndësishëm është hartimi i masterplanit për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, që parashikon ndërtimin e hoteleve e bizneseve bashkëkohore në zonë.
“Këtu ne kemi mundësinë që të mos bëjmë gabimet që mund të jenë bërë në pjesën tjetër të Shqipërisë. Në bashkëpunim edhe me qeverinë, ne kemi filluar hartimin e masterplanit për të gjithë këtë vijë bregdetare. Kjo do t’i hapi rrugë të gjitha investimeve të mundshme dhe të pritshme në këtë zonë”, u shpreh kryebashkiaku.
Subashi tha gjithashtu se sipërfaqja e rërës kurative te plazheve te Fierit do të shfrytëzohet 40 % si hapësirë publike dhe pjesa tjetër për privatët. Nga ana e bashkisë do të mundësohen investime për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe për të siguruar ujin e pijshëm 24 ore, një shërbim i munguar ndër vite.
“Çdo vit e më shumë shtohen investimet, ashtu sikurse edhe bashkia është në krye të detyrës për të mbajtur sa më pastër këtë bregdet dhe për ta mbajtur sa më pastër”, tha Subashi.
Janë 61 operatorë turistikë sezonalë që ushtrojnë aktivitetin përgjatë vijës bregdetare Darëzë – Seman këtë verë.
Gazetare: L. Roshi
/rtsh.al/