Qershor 2010, BE merr vendimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë

Konfirmon ministri i Jashtëm, Ilir Meta
Pas kthimit nga vizita zyrtare dyditore në Romë të Italisë, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta informoi dje në një konferencë për shtyp, mbi axhendën e takimeve intensive që pati me autoritetet e shtetit fqinj, një vend anëtar i Bashkimit Evropian, i cili mbështet axhendën e integrimit të Shqipërisë në këtë union. z. Meta deklaroi se, “brenda vitit të ardhshëm, Bashkimi Evropian do të marrë vendimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë”.
Gjithashtu Meta tha se, “kjo mbështetje përqendrohet në drejtim të ecjes para me aplikimin për statusin e vendit kandidat, si dhe për shpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe BE-së”.
Më tej ai u ndal në mënyrë të veçantë të bisedimet me ministrin e Jashtëm të Italisë, Franco Frattini, i cili vlerësoi përpjekjet dhe progresin e madh që Shqipëria ka bërë për të plotësuar kërkesat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, veçanërisht në drejtim të dokumenteve të sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe një kontrolli më të mirë të kufijve.
Meta siguroi se Shqipëria do t’i plotësojë të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, por kujtoi se në këtë proces, “Shqipëria është nisur nga një start tepër problematik në raport me vendet e tjera të rajonit”.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë që, siç u shpreh ai, funksionojnë në progres të vazhdueshëm në të gjitha fushat me interes reciprok.
Ai informoi se shumë shpejt pritet të firmoset dhe Protokolli i ri për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve (2009-2014).
Për sa i përket integrimit të mëtejshëm të komunitetit shqiptar që jeton në Romë, z. Meta theksoi se “marrëdhëniet mes dy vendeve kanë kaluar nga koha e emigracionit klandestin, në një periudhë të re, atë të integrimit gjithnjë e më të plotë të qytetarëve shqiptarë në Itali”.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë u ndal dhe tek raporti vjetor, i paraqitur sot nga Ambasadori Robert Bosch në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, në Vjenë, duke nënvizuar se “qeveria shqiptare është e vendosur të shënojë progres në të gjitha fushat, jo vetëm atje ku është vlerësuar me nota pozitive”.
“Për zgjedhjet është dhënë nga gjithë komuniteti ndërkombëtar se ky është një kapitull i mbyllur. Zgjedhjet e 28 qershorit kanë qenë më të mirat që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri dhe kanë plotësuar shumicën e standardeve ndërkombëtare”, tha Meta.
Sipas tij, ka vend për progres dhe në këtë drejtim qëndrimi i qeverisë është shumë i hapur edhe ndaj kërkesave të opozitës.
“Opozita është e mirëpritur të marrë shumicën në një komision hetimor parlamentar, i cili mund të bëjë hetime brenda mundësive që njeh legjislacioni ynë dhe garanton Kushtetuta”, vijoi Meta.
Në këtë kuadër, ai ftoi opozitën që të, “kontribuojë për të bërë përmirësimet e mëtejshme, në mënyrë që zgjedhjet e tjera të jenë më të mirat që mund të bëhen edhe në Evropë”, tha ndër të tjera Meta.