Qetësuesi Cooper

Lehtësuesi i BE’së në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper ka tentuar t’i minimizojë mospajtimet mes palëve, të cilat janë shfaqur vetëm pak ditë para fillimit të raundit të pestë, në të cilin priteshin edhe marrëveshje.
Dy negociatorët, Edita Tahiri dhe Borko Stefanovic të enjten dhe të premten janë përfshirë në polemikat më të ashpra që prej fillimit të bisedimeve.
Tahiri ka akuzuar bashkëbiseduesin e saj serb se ka kërkuar shtyrjen e takimit të paraparë për datën 14 e 15 qershor duke e fajësuar atë edhe për devijim nga pozicionet e afruara gati deri në marrëveshje.
Shefja e delegacionit kosovar ka shpjeguar se këto qëndrime Stefanovic i kishte bërë të ditura gjatë një videkonference të mërkurën.
Si pasojë e këtij bashkëbisedimi, raundi i pestë është shtyrë për fund të muajit qershor.
Kryenegociatori serb ka mohuar që ai të ketë pasur gisht në këtë shtyrje.
Për të qetësuar tërë këtë situatë, ka reaguar Brukseli duke njoftuar se Cooper është ai që ka vendosur të shtyjë terminin e takimeve për t’u dhënë më shumë kohë palëve për t’u përgatitur rreth takimit.
Të premten ka qarkulluar një deklaratë e Maja Kocijancicit zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE’së, Catherine Ashton.
Kocijancic ka thënë se ndërmjetësi Cooper ka vendosur që ta shtyjë për në fund të qershorit raundin e ri të bisedimeve, për t’u dhënë kohë palëve që të përgatiten më shumë për marrëveshjet e mundshme.
Ajo ka thënë se lehtësuesi Cooper ka vlerësuar se është e nevojshme që ekipet e Beogradit dhe Prishtinës të bëjnë edhe më shumë përgatitje teknike për nënshkrimet e pritura të marrëveshjeve për zgjidhjen e çështjeve të përditshme dhe problemeve në Kosovë.
Zyrtarët e BE’së nuk kanë pranuar të komentojnë rreth deklaratave të zëvendëskryemistres kosovare.
Polemikat mes Tahirit dhe Stefanovicit nuk janë ndërprerë as gjatë ditës së premte.
Në deklaratat e tyre për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug, dy negociatorët kanë dhënë versione kontradiktore për atë që ka ndodhur.
Borko Stefanovic ka thënë se nuk ka pasur asnjë shtyrje dhe se të gjithë janë pajtuar që duhet më shumë kohë për të gjetur zgjidhjet më të mira.
E, Tahiri ka insistuar që palës serbe po i duhet më shumë kohë që të marrë vendimet për të cilat ka një obligim ndaj Brukselit.
“Ne kemi vendosur që të presim edhe pak Serbinë, sepse nuk mjafton vetëm marrëveshja në letër, por duhet edhe zbatimi i saj në terren, e për këtë duhet kohë”, ka thënë ajo.
Stefanovic ndërkaq i ka mohuar këto deklarata duke thënë se nuk ka pasur shtyrje me kërkesë të Beogradit.
“Ne thjesht, të gjithë së bashku u morëm vesh që na duhet edhe pak më shumë kohë që t’i formësojmë zgjidhjet, të cilat duhet t’i gjejmë së shpejti dhe t’i finalizojmë me marrëveshje”, ka thënë Stefanovic.
Negociatori serb ka shtuar se disa çështje janë afër përfundimit dhe se priten rezultate të shpejta, të cilat duhet t’i kenë parasysh interesat e të dyja anëve.
“Sigurisht se jemi afër marrëveshjeve rreth disa çështjeve dhe të gjithë presim që në takimin e qershorit t’i arrijmë disa rezultate të shpejta. Këto rezultate natyrisht duhet të jenë para së gjithash një pajtueshmëri e të dyja palëve dhe në këtë kuptim të gjithë jemi pajtuar se është shumë e rëndësishme që të bëjmë më shumë përpjekje që t’i pajtojmë pozicionet tona”, ka thënë ai.
Stefanovic ndërkaq ka insistuar që Beogradi nuk është fajtor duke thënë se ka një tentativë të “disa strukturave” që ta kthejnë Serbinë në pozicionin e vjetër, që refuzon, që është negativ dhe që nuk do marrëveshje.
Tahiri ndërkaq ka vlerësuar se palët gjatë dialogut tremujor i kanë afruar qëndrimet për një numër çështjesh, derisa po ashtu ka paralajmëruar një pako marrëveshjesh, të cilat përfshijnë lirinë e lëvizjes, tregtinë e lirë, çështjen e energjisë dhe telekomunikaciont si dhe çështjen e kthimit të regjistrave kadastralë.
Përplasjet në relacionin Prishtinë -Beograd nuk e kanë lënë indiferent as përfaqësuesin e BE’së në Kosovë, Fernando Gentilinin. Ai ka thënë se shtyrja e takimit të radhës është bërë për t’iu dhënë më shumë kohë palëve për përgatitjet e brendshme, me qëllim që të arrihen marrëveshje konkrete në takimin e ardhshëm.
Gentilini ka thënë se në përgjithësi procesi ka qenë pozitiv dhe të dy ekipet kanë punuar në një frymë konstruktive.
“Është vendosur të shtyhet takimi i radhës i dialogut, i cili ishte planifikuar për javën e ardhshme deri në fund të qershorit. Kjo është bërë për t’iu dhënë më shumë kohë palëve për përgatitjet e brendshme dhe për diskutimet teknike të nivelit të ulët, me qëllim që të arrihen marrëveshje konkrete në takimin e ardhshëm”, ka thënë Gentilini.
“Unë kam respekt për të dy palët. E kam ndjekur dialogun që nga fillimi dhe e di se nuk është e lehtë. Është bërë shumë progres deri më tash dhe, si rezultat i kësaj, marrëveshjet në ato çështje që janë mbi tavolinë janë gati për t’u arritur. Në përgjithësi, procesi ka qenë pozitiv dhe të dy ekipet kanë punuar në një frymë konstruktive. Por, bisedimet janë si një garë, metrat e fundit janë gjithmonë më të vështirat. Unë jam i sigurt se me më shumë përpjekje, dy palët do t’ia arrijnë”, ka shtuar Gentilini