Kuqezi në Prizren
Rrjeti i Organizatave Shqiptare dhe Aleanca Kuqezi e kanë shndërruar të premten Prizrenin në nikoqir të shqiptarëve nga mbarë bota, me rastin e 133’ vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Që në mëngjes, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosjes kanë stolisur qytetin me flamuj kombëtarë. Një flamur i madh është vendosur në Kalanë e Prizrenit, motoristët kanë defiluar me flamuj kombëtarë, ndërkaq ka pasur edhe lëshim me parashutë me posterin "Lidhja është gjallë".
Tek objekti i Lidhjes është mbajtur “Ora e Lidhjes”. Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Adem Demaçi ka thënë se bashkimi i shqiptarëve ka rëndësi shumë të madhe për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë krizës ballkanike. Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja tha në një tribunë se Evropa i ka borxh kombit shqiptar. Kurse Kreshnik Spahiu nga Aleanca Kuqezi theksoi mungesën e një platforme mbarëkombëtare.
Sipas akademik Esat Stavilecit, politika shqiptare është e pandërtuar dhe me diplomaci të paunifikuar. Me nga një fjalë rasti u paraqitën edhe Princi Leka dhe futbollisti Lorik Cana, të cilët premtuan se do të jenë ushtarë të bashkimit kombëtar. Të premten, Prizrenin e vizitoi edhe presidentja Atifete Jahjaga.
Aktivistë të Vetëvendosjes, 8 orë në burg
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se të premten, rreth orës 4 të mëngjesit, gjatë dekorimit të qytetit me flamuj, policia ka arrestuar gjashtë aktivistë të saj: Kushtrim Dakajn, Vigan Bytyqin, Abdyl Osmanajn, Gëzon Kastratin, Memli Balajn dhe Lumbardh Bukoshi. Ata po hiqnin flamurin e shtetit të Kosovës dhe flamuj të shteteve të tjera (duke përfshirë edhe atë të BE’së e NATO’s) dhe në vend të tyre po vendosnin flamurin kombëtar.
Sipas Vetëvendosjes, “mëkati” i tyre ishte se simbolet antikombëtare po i zëvendësonin me ato kombëtare, në përvjetorin e ngjarjes më të rëndësishme politike për identitetin dhe politikën shqiptare.
Vetëvendosja, arrestimet i cilësoi politike dhe “në funksion të tjetërsimit të identitetit, historisë dhe politikës kombëtare, nga institucionet, të cilat moti ia kanë shitur shpirtin djallit”.
Gjashtë aktivistët janë liruar rreth mesditës, me vendim të Gjykatës për Kundërvajtje. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, duke iu referuar të arrestuarve, pohon se me rastin e arrestimit të Kushtrim Dakajt, “ka pasur sjellje jokorrekte e kërcënime nga policia, por jo dhe dhunë”.