E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveri miope dhe kolaboracioniste

Inflacioni kërcënues i këtij fundviti për shqiptarët, shpjegohet nga përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri, me të papriturat në ofertë, “supply shocks”, kryesisht thatësira dhe rritja e çmimit të ushqimit. “Në rajon ka pasur thatësira që pakësuan furnizimet, disa drithëra po shndërrohen në biokarburante, duke rritur kërkesën. Në përgjithësi kemi pasur një rritje të çmimit në të gjithë botën”,- komenton z.Gerëin, në plan global. “Por ka një tjetër element që në vende të tjera është më pak i dukshëm, por që në Shqipëri është shumë i ndjeshëm, mungesa e energjisë”,- përpiqet ai të karakterizojë krizën shqiptare. Ky deduksion është i saktë. Bota e gjithë po përballet që tani me sfidat e ngrohjes globale, ku vendet e varfra, sipas prognozave shkencore janë ato që do të preken më tepër. Por a bën pjesë Shqipëria, në vendet që do preken më shumë nga thatësirat dhe efektet e tjera të ngrohjes globale? Përgjigja e dëshirueshme, por dhe e mundshme, do të ishte: Jo, por me një parakusht.
Shqipëria është një ndër vendet më të pasura me burime hidrike për frymë, në shkallë botërore. Si e tillë, Shqipëria mund të realizojë një bujqësi me sipërfaqe nën ujë, të paktën në parametrat e para ’90-ës, duke zbutur ndjeshëm efektin e thatësirës edhe në vite “interesante”. Nga ana tjetër lumenjtë e përrenjtë e Shqipërisë “presin” të vishen me diga që jo vetëm të prodhojnë energji të pastër, por edhe më të lirën të mundshme, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin. Kjo nuk është ide e artikullshkruesit. Për këtë flasin vetë projektet, që janë mbyllur në sirtar prej 20 vitesh dhe që vetëm tani po dalin një nga një prej izolimit ku i kishin futur. Deri në vitin 1998 Shqipëria ka qenë eksportuese neto për energji elektrike.
Natyrisht prej një politike piramidale nuk mund të pritej që të hidhej ndonjë sy nga tendencat normale të rritjes së kërkesës për energji dhe që t’i hapej rruga investitorëve për të vënë në jetë projektet për hidrocentralet e shumtë në vend. Por e pashpjegueshme është miopia qeveritare dhe politike në fillim të vitit 2000, kur edhe errësira nga mungesa e dritave filloi të bëhej prezente. I pafalshëm është kolaboracionizmi i qeverisë së sotme, e cila vazhdon t’i bindet skemës së mbrapshtë, që Shqipëria deri në vitin 2010 të mos ketë asnjë MË shtesë nga burimet hidrike.
Parakushti që Shqipëria të mos bëjë pjesë në vendet që do vuajnë më shumë efektet e ngrohjes globale, sintetizohet në shprehjen e njohur shqiptare, “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”. Deri më tash qeveritë e Shqipërisë i kanë tërhequr për hunde. Në vend që Shqipëria të bëjë projekte për energjitë e rinovueshme, për të cilat fiton grante nga komuniteti ndërkombëtar, po vrapon të ndërtojë vepra me bazë nafte e qymyri, duke tentuar të hyjë në listën e ndotësve më të mëdhenj për frymë të popullsisë, me të gjitha pasojat negative shumëplanëshe që mbart kjo industri për Shqipërinë.
FMN, tani ngre duart lart e thotë: “Qeveria të na informojë si ka në plan ta mbushë këtë gropë të madhe në financat e KESH-it, 20 miliardë lekë”. Por nuk i duket “interesante” të analizojë, pse është hapur kjo gropë e madhe në Shqipëri? Po kështu, BB (edhe kjo këshilluese e deritanishme) na informon në mënyrë alarmuese se të varfrit në Shqipëri kapin tani shifrën 550,000, nga të cilët 110 mijë vuajnë për bukën e gojës.
Ajo që shqiptarët duhet të bëjnë në mënyrë urgjente është të mos dëgjojnë më ”këshilla”, por të fillojnë menjëherë nga puna, për të kontrolluar e menaxhuar pasurinë e madhe të këtij vendi, ujin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›