E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më mirë debat, se mosmiratim i heshtur

 
 
 
 
 
Kushtetuta i ka dhënë një rol të rëndësishëm Presidentit të Republikës në raport me organet e tjera, ku përveç kompetencave, që i ka jo të pakta, i ka dhënë dhe një lloj statusi ideal për një popull siç është uniteti që përfaqësohet nga Presidenti. Krahas saj, janë dhe norma të shkruara e të pashkruara ku ndër më të rëndësishmet është edhe ajo ku aktualiteti i kërkon Presidentit, pra, të jetë arbitër i palëve si dhe të ndihmojë në uljen e tensionit politik. Pikërisht këto ditë dhe përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë i thanë z.Topi se përveç krizës energjetike, klima politike nuk po na lejon të punojmë. Ndërsa, përsa i përket përfaqësimit si arbitër i palëve kjo ka ngelur vetëm thënie. Që kur ka ardhur në atë detyrë Presidenti i Republikës nuk ka qenë iniciator i ndonjë tavoline politike, i një debati frytdhënës pozitë-opozitë, për çështjet primare që shqetësojnë shoqërinë. Është e qartë se dera e Presidencës është e hapur për opozitën, por a mjafton kjo? Një çështje që normalisht duhet të debatohet, të diskutohet, të shqyrtohet duke u marrë dhe mendimi i tjetrit s’para ndodh, pasi çështja është bërë fakt i kryer. Dhe pse duhet të takohesh me opozitën kur gjithçka ka marrë fund! Ç’rëndësi ka nëse e pret apo nuk e pret liderin e opozitës, kur çështja është fakt i kryer! Rasti i emërimit të Kryeprokurores ishte një fakt i kryer.
Të jesh arbitër, do të thotë të jesh aktiv në fushën e lojës. Nuk është koha të kemi thjesht një president zyre. Sado që z.Topi po insiston për disa reforma, ai përsëri nuk po tregohet si balancues për t’i vënë “fre” të fuqishmit nga veprime abuzive, përballë të pafuqishmit. Komunitetin nuk po e pyet kush (përmendim komunitetin e Vlorës, që kërkoi referendum për TEC-et), prandaj a është dhe detyrë e Presidentit të Republikës të ngrejë zërin për disa situata që janë në mbrojtje të komunitetit, të zhvillimeve politike, edhe pse nuk mund t’i pëlqejë qeverisë. Të kritikojë Berishën presidenti Topi mund ta ketë vështirë, pasi mund të lindë një debat institucional, sepse kryeministri shqiptar është me moton, “O me mua, o kundër meje!”. Gjithsesi më mirë një debat institucional, sesa një pasivitet që nuk i hyn në punë kurrkujt. Presidentin nuk duam ta shohim si president të asaj tërësie që sot ka kapur gjithë institucionet e Republikës. Ndoshta z.Topi mund ta ketë kritikuar Kryeministrin për ndonjë gabim, gjithsesi shoqëria preferon nga Presidenti deklarata publike, kur ky apo ai veprim i qeverisë lë për të dëshiruar. Veprime të tilla ka sot plot, vlen për të përmendur vetëm absurditetin e fundit ku vetëm 38% e investimeve publike janë realizuar. Ka shumë e shumë veprime e mosveprime të tjera të qeverisë ku duhej që Presidenti të shprehte në publik indinjatën e tij. Të shohim për 2008-ën.
 
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›