Qeveria- 70 milionë euro borxh kompanive private: Biznesi në paralizë
Qeveria shqiptare ka probleme serioze me pagesën ndaj kompanive private që kanë kryer punë publike, duke kapur shifrën 70 milionë euro borxh. Kompanitë private- në shumicë kompani ndërtimi rrugësh, janë pa shlyer për dy vjet dhe po shkojnë drejt falimentimit.
Ata kanë marr kredi nga bankat duke hipotekuar bizneset e tyre për të përballuar projektet që u ka dhënë qeveria, dhe tani edhe sikur qeveria tua japë lekët, ata janë me humbje vetëm për shkak të interesave që kanë paguar dhe që janë më të mëdha se norma e fitimit që do merrnin nga puna e kryer.
Qeveria e fsheh këtë detyrim nga borxhi publik, duke vepruar me arbitraritet ndaj biznesit dhe duke përkeqësuar situatën financiare të tij.
Në Komisionin e Ekonomisë ka pasur debate të forta rreth kësaj teme. Dorian Teliti, një zyrtar i Ministrisë së Financave, e justifikoi këtë me faktin se kompanitë kanë ecur me projektet më shume se sa planifikimi. Por një përfaqësues i Shoqatës së Ndërtimit tha se kjo nuk është e vërtet. Kjo shoqatë numëron disa kompani që kanë tre vjet që kanë përfunduar punët publike dhe ende nuk marrin lekët. Deputeti Erjon Braçe tha se kishte parë listën e gjithë objekteve që janë vendosur, “që i bashkëngjitet ligjit për buxhetit dhe identifikohen në zonën time, katër projekte që kanë përfunduar, madje të inauguruara nga tre herë. Dua të di sa përqind e asaj vlere të investimeve zënë faturat për punë të kryera?”
Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se këto detyrime arrijnë në gati 70 milionë euro.