E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria Berisha po fut në krizë marrëdhëniet me ndërkombëtarët”

Autori i Lajmit: red.
Anëtari i kryesisë së PS-së, Pandeli Majko ka shprehur dje shqetësimin e tij ne lidhje me deklaratat e SHBA-së për deformimin e institucioneve në Shqipëri. Shqetësimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për deformimin e institucioneve në vend mbështetet nga opozita. Ish-Kryeministri, Pandeli Majko aktualisht anëtar i kryesisë së PS-së, në një prononcim publik shprehet se me qëndrimin e saj qeveria e kryesuar nga Berisha po fut në krizë reale marrëdhëniet e Shqipërisë me Ndërkombëtarët. Sipas Majkos, gjithçka lidhet me të vërtetën mbi Gërdecin. “Ngjarja e Gërdecit është ngjarja më e rëndë e ndodhur në Shqipëri pas ngjarjeve të 97-ës dhe ka ndikuar shumë në marrëdhëniet e Shqipërisë me ndërkombëtarët. Në këtë mënyrë patjetër, që kjo ngjarje do të ndikonte tek ndërkombëtarët dhe prandaj gjërat nuk mund të shikohen pa dorashka”, ka deklaruar Majko. Më tej, ai ka shtuar se një kritikë e tillë e SHBA-së cenon shumë imazhin e Shqipërisë, pasi elementët e kritikës janë të rënda, kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Qeverisë me Presidentin dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Ky lajm është publikuar: 01/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›