E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndjekje penale për ish-universitetet private

Raporti i Këshillit Britanik për Akreditim mes të tjerash, tërthorazi vërteton atë që ka qarkulluar gjithmonë në opinion dhe shumicën e mas medieve kosovare – se universitetet private (nëse kanë qenë ndonjëherë universitete), janë sektor i shpëlarjes së parave. Nuk ka pasur kurrfarë dyshimi në cilësinë e studimit në këto “universitete”. Ka qenë evident fakti se ato ishin themeluar vetëm për mbledhjen e tepricës së studentëve që nuk i plotësonin kriteret për regjistrim në universitetin publik të Prishtinës. Kur numri i “universiteteve private” po i afrohej normës dyshifrore, disa pedagogë të tyre gjysmë analfabetë na thoshin se kështu, me rritjen e numrit të tyre, vjen konkurrenca që do të bëjë eliminimin e shumicës dhe përzgjedhjen e disave që do të mbeten në treg. Ajo që këta pedagogë nuk donin dhe nuk dinin të thoshin, është se në ekonominë e tregut shteti është rregullatori më i mirë i konkurrencës. Iu bë “qejfi” këtyre pedagogëve dhe numri i “universiteteve private” arriti në mbi 30, shumica prej të cilave kishin fakultete të arsimimit për biznes, që në realitet ishte biznesi i arsimit për pronarët dhe pedagogët në dëm të studentëve. Si mund të vinte konkurrenca në arsimin e lartë, kur teprica e universitetit publik tani po bëhej edhe më e shpërndarë në më shumë universitete private? Po të kishte kuptim logjika se numri i madh është në funksion të konkurrencës në arsimin e lartë, atëherë këtë do ta praktikonte Britania e Madhe ose shteti, nga i cili u ftua institucioni për vlerësimin e “universiteteve private” të Kosovës – Këshilli Britanik për Akreditim. Britania e Madhe me mbi 60 milionë banorë ka 120 universitete, prej tyre 118 publike dhe vetëm 2 private. Dikush do të thoshte se ky është raport 1 universitet për 500.000 banorë krahasuar me 1 ndaj përafërsisht 65.000 banorëve në Kosovë. Ky krahasim është i padobishëm, meqenëse në universitetet britanike kanë qasje miliona studentë nëpër botë, ndërsa në Kosovë kjo qasje ishte e rezervuar për tepricën e Universitetit të Prishtinës. Dy universitetet e vetme private në Britani të Madhe janë: Buckingham University dhe University of Richmond. I pari ka gjithsej 840 studentë. I dyti ka më pak se 2.000 studentë dhe njihet si Universiteti Ndërkombëtar Amerikan në Londër, çka e bën Britaninë e Madhe (edhe zyrtarisht ashtu njihet) me vetëm një universitet privat, atë të Buckingham-it. Sidoqoftë, të dyja qëndrojnë prapa universiteteve publike pothuajse në çdo aspekt. Sllovenia me popullsi përafërsisht sa Kosova ka gjithsej katër universitete, të gjitha publike, dhe nuk paska nevojë t'i hyjë aventurave me konkurrencë private në arsimin e lartë. Ja ku na erdhi konkurrenca në arsimin e lartë në Kosovë – vendimi i qeverisë për mbylljen e universiteteve private duke u bazuar në raportin e Këshillit Britanik për Akreditim. Por qeveria nuk është duke e bërë punën si duhet. Ato paskan qenë universitete ilegale njësoj si sektori informal i ekonomisë (kontrabanda, shpëlarjet e parave, mashtrimet, falsifikimet). Kuptohet që nuk është detyrë e MASHT të marrë masa ndaj krimit të organizuar ekonomik nëpër këto ish-universitete. Këtë duhet ta bëjë qeveria nëpërmjet ministrive të tjera si ajo e Drejtësisë dhe e Punëve të Brendshme. Hetimet së pari duhet të fillojnë rreth origjinës së parave për themelimin e këtyre universiteteve, që dyshohet të jetë biznes informal ndërmjet politikanëve, qeveritarëve, ministrave dhe rrethit të tyre klientelist dhe nepotist. Ndjekja penale duhet të fillojë me ish-ministrat skandalozë, Rexhep Osmani dhe Agim Veliu. Këta i dinë të gjitha dhe duhet të detyrohen t'i sqarojnë të gjitha. Në opinion është përfolur rreth ryshfeteve në vlerë prej dhjetëra, e në raste ekstreme prej qindra-mijëra eurosh, të kërkuara nga ministri/a. Ka ndodhur që ish-ministri ia kishte përcjellë përgjigjen dikujt në këtë mënyrë: “I bon t’fala filanit dhe i thuaj se pa i qit kaq euro (si ryshfet) edhe brinat me t’dalë nuk e merr licencën; dhe tregoi se unë po them kështu”. Pas ish-ministrave, edhe pronarët dhe pedagogët e ish-universiteteve private duhet të ndiqen penalisht, e shumica e këtyre janë nga Universiteti publik i Prishtinës. Edhe këtu ka nga pak, nëse jo shumë, privatizëm dhe nepotizëm. Me ndjekjen penale për të kaluarën e tyre me universitetet private, disiplinohet e tashmja dhe e ardhmja e arsimit të lartë publik në Kosovë. Një udhë e dy punë. Disa do të thoshin se këtu duhet të përfshihen edhe politikanët e infiltruar në kriminalizimin e arsimit të lartë. Edhe më mirë. Po shihet që nga ndjekja penale paska vetëm të mira, prandaj duhet të fillojë tani.

Autori është hulumtues i lartë dhe koordinator për Kosovën i Institutit për Studime dhe Analiza të Politikave Ekonomike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›