Qeveria Berisha rikthen hetuesinë me ligj

Ligji për “Policinë Gjyqësore”, plani i qeverisë: Prokurorëve u hiqet e drejta e hetimit
Reforma në sistemin e drejtësisë do të rikthejë në fjalorin e juristëve termin “hetuesi”, për të përkufizuar një strukturë të njohur deri tani si policia gjyqësore, e cila para viteve ‘90 përdorej për ngritjen e akuzave ndaj të dënuarve politikë. Nisma më e re e qeverisë “Berisha” është rihartimi i ligjit për oficerët e policisë gjyqësore, që kanë varësi të dyfishtë nga prokuroria dhe Ministria e Brendshme, ndërsa me ligjin e ri që po merr formë në Ministrinë e Drejtësisë do të përcaktohet çdo lloj varësie ndaj institucioneve. Megjithatë, e reja e këtij ligji është “heqja” e prokurorëve nga e drejta e hetimit, të cilin do ta ushtrojnë vetëm oficerët e policisë gjyqësore. Prokurorët do të drejtojnë hetimet dhe do të japin urdhra konkretë për oficerët e policisë gjyqësore, por pa ndërhyrë në hetime. E drejta ligjore për të bërë hetime është e hetuesve, ndërsa prokurorët do të përfaqësojnë organin e akuzës në gjykatë. Ligji i ri që po hartohet në Ministrinë e Drejtësisë do të përcaktojë marrëdhëniet midis policisë gjyqësore dhe prokurorëve, ndërsa do të përcaktohen qartë edhe uljet e ngritjet në detyrë. Pas fillimit të hartimit të këtij ligji, organi i Prokurorisë së Përgjithshme ka shprehur gatishmërinë që të asistojë në grupin e ekspertëve, për të shfaqur mendimet për ndryshimet që do të realizohen.
Vartësia
Një nga “përplasjet” e vazhdueshme midis policisë dhe prokurorisë ka qenë vartësia ndaj policisë gjyqësore, ndërsa ndër vite është diskutuar se kush mund të kryesojë hetimet në një procedim penal. Disa kohë më parë, kryeprokurorja Ina Rama shpërndau një pyetësor në të gjitha prokuroritë e vendit, në të cilin kërkonte mendim nga prokurorët dhe hetuesit mes të tjerave edhe për statusin që duhet të ketë policia gjyqësore, pasi në analizat e prokurorive kjo strukturë ishte “akuzuar” se kishte shkaktuar zvarritjen dhe ngecjen e hetimeve në dhjetëra raste. Megjithatë, prokurorët kanë shprehur mendime të kundërta, çka do të pasohet edhe gjatë “negociatave” me Ministrinë e Drejtësisë. Shumë prokurorë mendonin se policia gjyqësore nuk duhet të kryesojë hetimet, por të jetë prokurori. Ndërkohë, të tjerë kanë deklaruar se hetimet duhet të realizoheshin nga hetuesit dhe më pas prokurori të përfaqësonte akuzën në gjykatë. Në lidhje me vartësinë, mendohet se oficerët e policisë gjyqësore do t’u kalojnë institucioneve me të cilat kanë ndërtuar marrëdhëniet e punës, në mënyrë që kontrolli ndaj kësaj strukture të jetë më i fortë dhe të shmanget varësia e dyfishtë.
Kompetencat
Në draftin që po hartohet nga Ministria e Drejtësisë do të sqarohen edhe kompetencat që ka policia gjyqësore. Prokuroria do të këmbëngulë në ministri për moszgjerimin e kompetencave të policisë gjyqësore në hetimin e çështjeve penale. Debati pritet të realizohet në prani të përfaqësuesve dhe ekspertëve të misioneve të huaja ICITAP, PAMECA dhe EURALIUS, të cilat asistojnë institucionet shqiptare të drejtësisë dhe luftës kundër krimit. Megjithatë, projektligji që po hartohet me shpejtësi, duke parë edhe interesimin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Berisha, do të përcaktojë se dosjet penale duhet të qëndrojnë në policinë gjyqësore, e cila duhet të hetojë dhe t’u komunikojë akuzën të pandehurve, ndërsa prokurori mund të kërkojë të njihet me dosjen dhe të urdhërojë veprime hetimore sipas rastit duke ia deleguar veprimet procedurale policisë gjyqësore në drejtori të policisë ose në komisariatin përkatës. Do të shikohet mundësia që nëse ndryshimet bien në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale të ndryshohet edhe ky ligj. Burime pranë Ministrisë së Brendshme thanë se do të kërkojnë që prokurorit t’i hiqet kompetenca e pjesëmarrjes direkte në veprimet hetimore, të cilat duhet të bëhen nga oficerët e policisë gjyqësore. Megjithatë, projektligji, sipas Ministrisë së Drejtësisë, do të realizohet brenda kuadrit kushtetues, ndërsa sipas prokurorisë, është kërkuar vetëm varësia e oficerëve të policisë gjyqësore. Sipas akuzës, mjafton që oficerët e policisë gjyqësore të kalojnë në varësi të Ministrisë së Brendshme apo të Ministrisë së Financave dhe ligji i mëparshëm i vitit 2000 është i zbatueshëm.
#