E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi i dorëzon flamurin skiatorit shqiptar Erion Tola

TIRANë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dorëzoi sot flamurin kombëtar gjatë një ceremonie zyrtare skiatorit Erion Tola, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore, që do të zhvillohen në Vankuver (Kanada). Në këtë ceremoni, ku merrnin pjesë autoritete shtetërore dhe përfaqësues nga bota e sportit, Kreu i shtetit në një fjalë përshëndetëse e vlerësoi olimpizmin si mjet të rëndësishëm në edukimin dhe formimin e brezit të ri. "Ne do të donim që pjesëmarrja në Lojërat Dimërore të ishte më e gjerë, por e rëndësishme është edhe të marrësh pjesë. Nisur nga terreni kryesisht malor i vendit i duhet kthyer vëmendja traditës për rritjen e zhvillimin e sporteve të tilla që ushtrohen nga miliona njerëz", tha Kreu i shtetit. Nga ana e tij, Kryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar, Agim Fagu vlerësoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë eveniment të rëndësishëm të sportit botëror. Shqipëria, merr pjesë për herë të dytë në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore, nga 12-25 Shkurt 2010, në Vankuver (Kanada). Skiatori shqiptar i lindur në Tiranë në 15 dhjetor, 1986 aktualisht jeton dhe stërvitet në Cervino (Itali). Në Vankuver Tola do të garojë në tre gara në kategorinë ski alpine. Bëhet fjalë për super G në 19 shkurt, slalomin gjigand në 21 shkurt , dhe slalomin në 27 shkurt. Skiatori shqiptar Erjon Tola më parë ka fituar kualifikimin për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore ka qenë në “Torino 2006”, ku edhe aty ka qenë flamurmbajtësi shqiptar. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›