E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Gruevski, në tryezë me shqiptarët

Ndërkombëtarët, kundër mësimit të maqedonishtes me detyrim në shkolla
Pas kundërvënies së qeverisë së Nikolla Gruevskit të Maqedonisë ndaj sugjerimit të OSBE-së që kjo e fundit ta shtyjë për më vonë zbatimin e vendimit të Ministrisë së saj të Arsimit, që gjuha maqedonase të mësohet që në klasën e parë nga të vegjlit e pjesëtarëve të bashkësisë etnike, ambasadori i OSBE-së në Shkup, Hoze Luis Herero, i dha ditët e fundit një intervistë për këtë çështje njërës prej gazetave kryesore të vendit, “Utrinski Vesnik”. Duke komentuar deklaratën e kësaj qeverie, se ishte vetë OSBE-ka që kishte sugjeruar mësimin e gjuhës maqedonase nga të vegjlit e bashkësive etnike në Maqedoni që në fillim të shkollës, z.Herero vuri në dukje se ai nuk është ekspert i fushës së arsimit, kështu që nuk mund të hyjë në detaje, por se autoritetet vendëse kanë liri veprimi të marrin një vendim të tillë, sepse gjuhën zyrtare duhet ta zotërojnë të gjithë qytetarët e vendit dhe se ajo duhet të mësohet në shkolla që në moshë të hershme. “Mendoj se kjo është e rëndësishme dhe lidhur me këtë ne të gjithë jemi dakord, por i takon qeverisë që të gjejë mënyrën sesi ta bëjë këtë. Kjo duhet të bëhet përmes dialogut. E di që kjo nuk është e lehtë, por kështu ndodh në shoqëritë me përbërje etnike dhe situata komplekse. Për këtë arsye, çështjet që kanë të bëjnë me tema të ndjeshme, sikurse janë ato që kanë lidhje me bashkësitë etnike, duhet të zgjidhen me vëmendje të madhe. Ky ishte rekomandimi ynë tjetër, që të mos lihet mënjanë asnjë mundësi për dialog”, theksoi ambasadori i OSBE-së në Shkup. Sa i përket faktit që kjo çështje ka marrë dimension politik në Maqedoni, z.Herero vuri në dukje se politika, në këtë rast, nuk ndihmon. “Mendoj se është legjitime ajo që po bëjnë liderët politikë, se kjo, duke pasur parasysh definicionin, është në fakt politikë, por në këtë moment kjo nuk ndihmon shumë, sepse i vendos njerëzit në situata, kur afrimi i tyre bëhet i vështirë. Të gjithë duhet të tregohen më elastikë dhe të mos synojnë që të fitojnë kapitale politike në kurriz të kësaj çështjeje, sepse të gjithë ne e dimë se ‘në fund të ditës’ ata duhet të përpiqen për të ardhmen e përbashkët, kështu që nuk ka arsye të projektojnë pozicione, për të cilat ne jemi të ndërgjegjshëm se nuk do t’i rezistojnë së ardhmes”. Pyetjes së gazetës se çfarë komenti kishte ai për letërkëmbimin mes komisionerit të lartë për pakicat kombëtare të OSBE-së, Knut Volebek, dhe Kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, për çështjen në fjalë, ambasadori Hoze Luis Herero iu përgjigj: “Kam mendimin se ka mjaft hapësirë për mirëkuptim dhe se qëllimet e komisionerit të lartë janë mjaft të qarta. Ai vetëm ka dashur ta ndihmojë këtë vend me ekspertizën e tij dhe e bën këtë me frymën e ndërmjetësimit. Mendoj se dialogu duhet të vazhdojë dhe duhet të jetë intensiv në të gjithë vendin, brenda koalicionit qeveritar dhe brenda partive politike të opozitës. Pyetjes së radhës së gazetës, nëse ka ndonjë tension mes qeverisë maqedonase dhe një prej institucioneve të OSBE-së, ambasadori i kësaj të fundit iu përgjigj se nuk ka tension. “Përkundrazi, ne po përpiqemi ta zgjidhim këtë problem të rëndësishëm, prandaj ekziston nevoja që të gjithë të përqendrohemi te ky problem, por nuk mendoj se ka ndonjë tension. Bashkëpunimi ynë me pushtetin, por edhe me opozitën, është i mirë, si gjithnjë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se problemi me të cilin po përballemi është i lehtë. Në fakt ai është i vështirë”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›