E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akulli bllokon qarkullimin në Veri

Izolohet pjesa më e madhe e zonave dhe banorëve të verilindjes së Shqipërisë

Reshjet e borës dhe akulli kanë izoluar pjesën më të madhe të Veriut të vendit. Kështu, në disa akse nacionale udhëtarët janë detyruar të presin disa orë deri në zhbllokimin e lëvizjeve, ndërkohë që mjaft komuna vijojnë të jenë të bllokuara nga akulli dhe bora.
Kukës
Prania e akullit në rrugët nacionale ka krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Kështu, në aksin kombëtar Kukës-Tiranë në pjesën nga Fushë-Dukagjini deri në Qafë-Mali, i gjithë aksi ka zënë akull, çka përbën një rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët. “Akulli ka mbuluar gjithçka dhe borëpastrueset nuk kanë mundësi të ndihmojnë shumë, pasi edhe ato kanë vështirësi për të qarkulluar”, thotë një shofer furgoni.
Probleme ka pasur dhe në rrugën Kukës – Qafë-Shllak, e cila ka qenë pothuajse e pakalueshme gjatë orëve të para të mëngjesit. Ndërsa akset e tjera, Kukës-Bushtricë, Kukës-Krumë, Qafë Mali-Bajram Curri, Krumë – Qafë-Prush kanë qenë të kalueshme, por vetëm me zinxhirë. Ndërkohë, banorët e Komunës Shishtavec tregojnë se rruga është plotësisht e bllokuar në shumicën e gjatësisë dhe vetëm fuoristradat kanë mundur të zbresin në Kukës. “Që prej më shumë se një jave, bora dhe ngricat kanë bllokuar rrugët, ku askush nuk hedh asnjë lopatë me kripë apo skorie”, thotë një banor i zonës. Nisur nga situata e motit të ftohtë dhe pranisë së akullit në rrugë, policia rrugore ka intensifikuar kontrollet në pika të ndryshme për të detyruar drejtuesit e mjeteve që të pajisen me zinxhirë. Ndërkaq, në rrethin e Tropojës Komuna Lekbibaj mbetet e izoluar dhe ende prej shumë javësh nuk është lidhur me qendrën e rrethit. Po ashtu fshati Valbonë në Margegaj, prej më shumë se pesë ditësh nuk furnizohet me energji elektrike, për shkak të defektit të shkaktuar nga akulli.
Shkodër
Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë krijuar sërish probleme në zonat e thella malore të Qarkut Shkodër. Komunat e Dukagjinit, Shalës, Shoshit, Iballë dhe Vermoshi vazhdojnë të jenë të bllokuara. Ndërkohë që në akset nacionale janë raportuar probleme. Rrugët Vau i Dejës-Pukë, Vau i Dejës-Koman, Pukë – Fushë-Arës, Qafë-Mali - Fierzë, Fushë-Arës – Qafë-Mali janë të vështira për t’u kaluar.
Dibër
Akulli dhe ngricat kanë krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve në Qarkun e Dibrës. Kështu, gjatë ditës së djeshme aksi nacional Peshkopi-Bulqizë ka qenë mjaft i vështirë për t’u kaluar, ndërkohë që aksi Peshkopi-Kukës, në segmente të caktuara të tij ka qenë për disa minuta i pakalueshëm, qoftë edhe me zinxhirë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›