Qeveria: E hëna pas festës, ditë pune me 25% shtesë pagese
TIRANë- Këshilli i Ministrave vendosi sot në mbledhjen e radhës një shtesë në vendimin “Për Kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet shtetërore”, në bazë të të cilit, u bënë disa ndryshime në kreun “Puna në ditët e festave zyrtare dhe pushimit javor”. Në bazë të ndryshimit, në rast se festa zyrtare përkon me një ditë të pushimit javor, dita e hënë do të jetë ditë punë, por puna e kryer do të kompensohet me një shtesë page prej 25%. Rreth 2 muaj më parë qeveria e kryeministrit Berisha shfuqizoi rregullin e vendosur nga qeveria e kryeministrit Fatos Nano, që nëse këto festa takojnë të jenë në fundjavë, pushimi shtyhet. Berisha hoqi paragrafin, aq shumë të kritikuar nga opinioni publik kur u ndryshua ligji më 2004: “Kur ditët e festave zyrtare të mësipërme bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”. Tani ky paragraf nuk ekziston më, se me ndryshimin që u miratua më 23 dhjetor 2009, në ligjin e paraqitur në parlament ishte caktuar pika 2: “Paragrafi i fundit, i nenit 1, shfuqizohet”. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, i ndryshuar nga qeveria shqiptare dhe miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 23 dhjetor të 2009, nuk do të ketë më shtyrje të ditëve të pushimit për administratën. (e.n/BalkanWeb)