E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Jo më kompensim ushqimor për ushtarakët

TIRANE- Pjesëtarët e Forcave të Armatosura nuk do kompensohem më financiarisht për trajtimin ushqimor që u garanton statusi i ushtarakut. Në kërkim të çdo shkurtimi të mundshëm shpenzimesh, qeveria ka vendosur dje që ushtarakët e Forcave të Armatosura të trajtohen me ushqim të gatuar sipas normës së repartit, vetëm në rastet kur thirren në repart për nevoja shërbimi (gatishmërie, stërvitjeje, fushime). Përmes disa ndryshimeve në ligjin “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, qeveria ka urdhëruar që në asnjë rast kuota ushqimore e ushtarakëve të konvertohet në kompensim ushqimor. “Në asnjë rast, trajtimi me ushqim nuk konvertohet në kompensim financiar për ushqim”, përcakton vendimi i djeshëm i qeverisë, i propozuar nga Ministria e Financave. 

KOMPENSIMET 
Dje qeveria ka shfuqizuar disa nene në vendimin e vitit 2004, që rregullon “masën dhe mënyrën e kompensimit të qirasë së banesës dhe të ushqimit të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Vendimi i djeshëm shfuqizon nenin sipas të cilit “Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura (oficer, nënoficer dhe ushtar profesionist), i emëruar jashtë vendbanimit, i cili nuk e ka ndryshuar vendbanimin familjar, pasi nuk ka pasur mundësi strehimi dhe nuk përfiton kompensim për qira banese, gëzon të drejtën e trajtimit me ushqim ose të kompensimit në vlerë për ushqim, vetëm për vaktin e drekës, sipas normës nr.4, përfshirë shpenzimet e gatimit, të përcaktuar në vendimin nr.160, datë 9.7.1995 të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të trajtimit me ushqim të efektivave, për ditët efektive të punës”. Janë shfuqizuar gjithashtu edhe dy nene të tjerë. I pari përcaktonte se ushtarakët e tjerë të shërbimit aktiv gëzojnë të drejtën e trajtimit me ushqim ose të kompensimit në vlerë për ushqim, vetëm për vaktin e drekës, sipas normës nr.4, përfshirë shpenzimet e gatimit. Ndërsa tjetri përcaktonte se kur ushtaraku thirret në repart për nevoja shërbimi (gatishmëri, stërvitje, fushime) trajtohet me ushqim të gatuar sipas normës së repartit dhe nuk përfiton kompensim në vlerë.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›