E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Çështja Snowden" Obama anulon samitin me Putin, zhgënjehet Kremlini

UASHINGTON- Presidenti amerikan, Barack Obama vendosi të anulojë samitin me homologun e tij rus, Vladimir Putin të planifikuar në fillim të shtatorit, në Moskë, bëri të ditur sot Shtëpia e Bardhë duke shtuar se vendimi u morr për shkak të mungesës së "progresit" në marrëdhëniet ruso-amerikane.

"Pas një shqyrtimi kemi arritur në përfundimin se marrëdhëniet bilaterale me Rusinë nuk kanë bërë progres të mjaftueshëm kohët e fundit, që një samit amerikano-rus të zhvillohet në fillim të shtatorit", deklaroi zëdhënësi i Obamës.

Kremlini shpreh zhgënjim për vendimin e presidentit amerikan, Barack Obama, për anulimin samitit bilateral të parashikuar për në shtator me presidentin rus, Vladimir Putin, njoftuan burime të brendshme të presidencës ruse për agjencinë vendase të lajmeve, Ria Novosti.

Anulimi i samitit, Barack Obama me Vladimir Putin, e vendosur nga Shtëpia Bardhë pas dhënies së azilit të përkohshëm nga Moska për Edward Snowden, ''tregon se SHBA-ja nuk është e gatshme të ndërtojë marrëdhënie me bazë barazie me Rusinë'', deklaroi kryekëshilltari diplomatik i Kremlinit, Juri Ushakov.

Marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar ndjeshëm kryesisht për shkak të vendimit të Rusisë për dhënien e azilit të përkohshëm ish-konsulentit të shërbimeve sekrete amerikane, Edward Snowden.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›