E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: SHISH zgjeron veprimin, kufizohet mandati i kryetarit

Drejt Kuvendit, ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ
Shërbimi Informativ Shqiptar tashmë do të ketë kompetencën të marrë pjesë në luftën kundër korrupsionit, të shpallur si prioritare nga qeveria “Berisha”. Ky ishte një nga ndryshimet e rëndësishme të projektligjit për ndryshimet në ligjin e SHISH-it, i miratuar dje nga Këshilli i Ministrave. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë ndryshim dhe të tjerat e bëra në ligj si të nevojshme në një kohë kur Shqipëria ka marrë anëtarësimin në NATO dhe pret integrimin në Bashkimin Europian. Sipas Kryeministrit, është shumë e nevojshme që një institucion i rëndësishëm si SHISH të japë kontributin e tij në luftën kundër korrupsionit. “Korrupsioni është një kancer, ai duhet të luftohet. Shërbimi ka dhënë një kontribut në këtë drejtim, por natyrisht nuk ka qenë objektiv direkt i punës së tij”, deklaroi Berisha në lidhje me pikën e shtuar në nenin që parashikon të drejtat dhe detyrimet e SHISH-it.
Po kështu, një nga ndryshimet e tjera në ligj lidhet me të drejtën e SHISH-it tashmë për të certifikuar personat. “Shërbimi Informativ Shtetëror do të ketë detyrën e ‘retingut’, kjo është e domosdoshme sidomos pas anëtarësimit në NATO, të kategorive të caktuara të punonjësve, që punojnë në zyra delikate dhe vende delikate”, shpjegoi Berisha në fjalën e tij. Në këtë kuadër, Berisha theksoi se do të bëhet mbi bazën e një ligji që do të miratohet së shpejti. Sipas Berishës, “retingu” qartësisht do të jetë e drejtë ekskluzive e SHISH-it, por do të jetë e drejtë e çdo qytetari të kundërshtojë me gjykatë, jemi një vend i lirë, në qoftë se gjykon se nuk është objektiv certifikimi që i është bërë. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është edhe kufizimi i mandatit të drejtorit të SHISH-it, i cili tashmë ka të drejtën të qëndrojë në detyrë vetëm pesë vjet nga një mandat i pakufizuar, siç është aktualisht. “Nuk ekziston në asnjë vend të lirë, drejtor apo zëvendësdrejtor, pa mandat të caktuar. Për më tepër kur në disa aspekte ligji e barazon me ministrin. Mandati 5-vjeçar me të drejtë përsëritjeje një herë është propozuar për të dy, si për drejtorin, ashtu edhe për zëvendësin”, deklaroi Berisha, i cili theksoi se këto ndryshime bëhen në kuadër të reformimit të këtij institucioni me një rëndësi të veçantë. Një tjetër ndryshim është ai që i bëhet nenit 9 të këtij ligji, sipas të cilit asnjë bashkëpunim i SHISH-it me vendet e huaja nuk mund të bëhet pa miratimin e Kryeministrit. Aktualisht ligji për SHISH i lejon këtij institucioni të drejtën të vendosë vetë në rastet kur i duhet të bashkëpunojë me agjencitë homologe në botë. Një tjetër shtesë është edhe ajo kur Kryeministri, përpara se t’i propozojë Presidentit emërimin ose shkarkimin e drejtuesve të SHISH-it, duhet t’i drejtohet Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›