Krijohet agjencia e energjisë bërthamore
Vendimi
Qeveria shqiptare miratoi dje krijimin e një institucioni të ri të quajtur Agjencia Kombëtare Bërthamore, si pjesë e ideve të veta për të krijuar kushtet për ndërtimin e centraleve bërthamore paqësore në Shqipëri. Agjencia sipas vendimit do të jetë në varësi të Këshillit të Ministrave dhe do të ketë për qëllim “përgatitjen, ndjekjen e mbarëvajtjes dhe të zhvillimit të programit kombëtar bërthamor.”
Në vitin 2007, kur vendi po vuante krizën më të thellë energjetike në histori, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se do të kërkonte investime të huaja për ndërtimin e një centrali bërthamor për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri. Media vendëse dhe e huaj diskutoi gjerësisht pas kësaj duke e konsideruar deklaratën një projekt konkret. Këshilltarë të Kryeministrit deklaruan se një kompani amerikane është e interesuar. Media kroate raportoi se qeveria e atij vendi është e interesuar për ndërtimin në bashkëpunim me Shqipërinë të një termocentrali bërthamor mbi lumin Buna në Shkodër. Pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit vuajtën krizë të fortë energjetike gjatë viteve ’07 e ’08 dhe një numër i madh politikanësh u shprehën të gatshëm të pranojnë teknologjinë bërthamore.
#