Dëshmi të reja, Bulku është parë edhe pas Vitit të Ri
Hetimet
Telefoni i tij ndizet herë pas here, por me një numër tjetër celulari
Telefoni i 39-vjeçarit Arjan Bulku, i zhdukur që më 27 dhjetor, është ndezur disa herë, por me një numër tjetër. Këto janë provat e reja të policisë, e cila deklaron se ai është parë i shoqëruar edhe me persona të tjerë pas zhdukjes së mistershme. Sot, Bulku, pronar i një lokali tek ish-SMT-ja në Qytetin e Nxënësve, mbush 25 ditë që nga dita e zhdukjes dhe që nuk ka kontaktuar me familjen. Ngjarja ka shqetësuar jo vetëm familjarët e tij, por edhe policinë, e cila nuk ka mundur ende të zbardhë plotësisht faktet mbi fatin e tij. Sipas të dhënave hetimore, telefoni i tij është fikur që ditën e zhdukjes, pavarësisht sesi aparat ka qëndruar ndezur edhe më vonë. Burimet nga grupi i punës shpjegojnë se aparati, i cili ka numrin e tij personal, ka lëshuar sinjal edhe disa ditë më vonë. Por ai është përdorur me një numër tjetër. Tashmë, edhe numri tjetër, për të cilin priten të dhëna në emër të kujt është regjistruar, qëndron i fikur dhe ndizet shumë rrallë. Mbi këto fakte, policia po mundohet të zbardhë diçka nga telefonatat e kryera prej Bulkut, ndërkohë që dëshmi të reja janë mbledhur në polici. Nga të dhënat mësohet se ka fakte të reja se ai është parë nën shoqërinë e personave të tjerë edhe pas vitit të ri. Megjithatë, këto fakte nuk janë konfirmuar tërësisht. Nga ana tjetër, agjentë civilë janë shpërndarë në zonën ku u gjet makina e tij, duke pyetur nëse e ka parë ndonjë person i mundshëm të zhdukurin që prej 25 ditësh. Siç është deklaruar edhe më parë nga grupi hetimor, gjithë gjurmët e gjetura në makinën e biznesmenit të zhdukur, Arjan Bulku janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës për verifikim. Pak ditë më parë, policia arriti të gjejë të braktisur mjetin, me të cilin ishte larguar më 27 dhjetor të vitit që shkoi. Sipas të dhënave nga policia, mjeti është gjetur nga dy miq të tij. Besim Bulku, vëllai i Arjanit, por edhe policia, kanë treguar se ditën e shtunë, dy persona të njohur të familjes, kanë parë mjetin “Golf 3”, ngjyrë e verdhë, me targa TR 1947 S, pranë një pallati, te rruga që të çon te Thesari i Shtetit. Menjëherë, ata kanë njoftuar vëllain e të zhdukurit. Ai ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe pasi është siguruar që mjeti i përkiste të vëllait, ka njoftuar shërbimet e policisë së Komisariatit nr. 6. Oficerët e policisë së këtij komisariati, bashkë me kolegët e Komisariatit nr. 4, pasi makina ndodhej në zonën e këtij organi, kanë shkuar në vendngjarje dhe e kanë dërguar për ekspertizë. Policia ka marrë në pyetje edhe personat që banojnë në atë zonë, në lidhje me personin e zhdukur, por ata kanë deklaruar se nuk e njihnin dhe nuk e kishin parë ndonjëherë.
#