Qeveria: Tani 2/3 e licencave në sportelet "One Stop Shop"
/>Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi në mbledhjen e djeshme projektligjin për licencat, autorizimet dhe lejet, duke bërë të mundur sistemin e marrjes së lejeve dhe licencave në një sportel të vetëm, one stop shop.
Me këtë projektligj, pas regjistrimit elektronik të biznesit në një sportel të vetëm, ne ia dalim që brenda muajve të parë të vitit që vjen të instalojmë në Shqipëri one stop shop për një pjesë të madhe të licencave dhe lejeve, pasi kemi zhdukur ndërkohë 2/3 e tyre, u shpreh Kryeministri. Avantazhet e këtij projektligji, theksoi Kryeministri, janë shumë të mëdha, pasi nga afati kohor 30-60 ditë që duheshin më parë për marrjen një lejeje apo licence, tashmë ato do të mundësohen brenda 1 deri 3 ditëve. Kjo është një ndërhyrje shumë e dobishme për klimën e biznesit. Gjithashtu, kryeministri vuri në dukje se jo të gjitha lejet e licencat mund të përfshihen në one stop shop, pasi disa prej tyre i nënshtrohen një procesi gare të pashmangshme, siç janë hidrocentralet, por edhe të tjera. Pra, një numër i kufizuar i tyre, për shkak të procedurave që mbartin në vetvete, mbeten si atribut i ministrive. Gjykoj se ky vendim është i rëndësie të jashtëzakonshme për ne, për ekonominë dhe zhvillimi e vendit. Ne do të bëjmë çdo gjë për suksesin e kësaj praktike. Nuk është aq e thjesht sa praktika e parë, pra ajo për regjistrimin e biznesit, por është plotësisht e mundshme, nënvizoi Kryeministri.