Gati vendimi, do tu jepen në pronësi oborret e shtëpive
/>Kryeministri Berisha, në mbledhjen e sotme të qeverisë, kërkoi nga ministria e Drejtësisë që të sjellë sa më parë në qeveri të gjithë kuadrin ligjor që i jep përgjigje të menjëhershme dhe të plotë çështjes së oborreve në përdorim. Kryeministri tha se në zyrat e regjistrimit të pasurive janë mijëra e mijëra familje shqiptare, të cilat kanë ndërtuar shtëpitë mbi trojet dhe pronën e tyre, kanë edhe oborrin tërësisht të tyre, por ato vazhdojnë të njihen si oborre ose troje në përdorim, ndërkohë që janë tërësisht pronë e të zotëve të shtëpive.
Kjo praktikë buron nga kushtetuta famëkeqe e vitit 76, në të cilën prona private u eliminua në të gjithë territorin dhe u quajt pronë shtetërore, ndërkohë që këtyre familjeve prona iu quajt në përdorim, u shpreh Kryeministri. Ai theksoi se ky problem vështirëson të gjitha transaksionet që këto familje duan të bëjnë dhe i mban ata të pasigurt në pronën e tyre, duke shpallur si pronar atë që nuk është i tillë, shtetin. Kryeministri theksoi gjithashtu se ka edhe të tjerë që nuk kanë ndërtuar mbi pronën e tyre, por prej 30-40 vitesh kanë blerë një truall dhe kanë ndërtuar shtëpi aty. Zoti ministër i Drejtësisë, duhet të sillni sa më shpejt në qeveri të gjithë kuadrin ligjor që i jep përgjigje të menjëhershme, jo burokratike dhe të plotë, çështjes së oborreve në përdorim. Sikundër, duhet të bisedoni me Ministrinë e Financave për të zgjidhur të gjitha problemet, theksoi Kryeministri. Zgjidhja e këtij problemi, vijoi Kryeministri, përbën një çlirim të madh për tregun, fuqizon më tej tregun e tokës, duke pasur parasysh që ato janë të gjitha territore të çmimeve dhe vlerave më të larta. Të tilla janë pothuajse të gjitha familjet tiranase, por jo vetëm ato, por edhe familje të tjera të cilat kanë ardhur, kanë blerë truall dhe kanë ndërtuar dhe që më pas çdo gjë e tyre u shpall shtetërore. Të tilla janë familjet e Shkodrës, të Durrësit, të Vlorës. Kryeministri vuri në dukje se ka një numër jo të vogël familjesh edhe në fshatra, të cilët kanë ndërtuar në tokat e tyre, por ajo nuk mund të quhej e tyre, sepse në stuhinë e zhdukjes së të gjitha pluraliteteve, komunizmi, pas pluralizmit politikë, egërsitë ekstreme ia rezervoi pluralizmit të pronës. Për këtë, Kryeministri kërkoi ngritjen e një grupi pune, në mënyrë që kësaj çështjeje ti jepet përgjigje sa më e shpejtë dhe e vendosur.