Qeveria aprovon kërkesat e invalidëve para dhe tetraplegjikë
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje shtimin me 4 mijë lekë të përfitimit mujor të invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, për paketat higjieno sanitare. Gjithashtu, u garantohet edhe sigurim shoqëror kujdestarëve të tyre. Në këtë mënyrë, janë plotsuar dy nga kërkesat e invalidëve, që vetëm pak ditë më parë i dhanë fund grevës së urisë. Ky vendim do të zbatohet, duke filluar nga 1 marsi i këtij viti. Aty saktësohet se nga 12.000 lekë në muaj, pagesa për paketën higjienike bëhet 16 000 lekë në muaj. Numri i përfituesve arrin në 3500. Shuma prej 16 mijë lekë është mbështetur në përllogaritjen që ka bërë Ministria e Shëndetësisë për elementet e kostos së paketës higjieno-sanitare të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Nga llogaritja rezulton se efektet financiare arrijnë në 140 milionë lekë në muaj. Kjo shumë do të përballohet nga Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave. Po kështu, u vendos që "periudha e shërbimit si kujdestar për invalidin paraplegjik dhe tetraplegjik, i cili nuk është ekonomikisht aktiv, si dhe nuk përfiton të ardhura nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, konsiderohet periudhë sigurimi për efekt përfitimi, pensioni, barrëlindje, aksidenti në punë dhe sëmundje profesionale, dhe sigurimi shendetësor. Kontributi do të paguhet mbi bazën e pagës minimale për efekt të llogaritjes së sigurimit të detyrueshëm shoqëror dhe përballohet nga buxheti i shtetit. Shërbimit Social Shtetëror mbi informacionin e njësive të qeverisjes vendore, harton listat e kujdestarëve përfitues çdo vit apo sa herë ndryshon kjo listë, në bazë të të cilave llogariten fondet që nevojiten për pagesën e kontributit për këtë kategori personash. Efektet financiare arrijnë shumën e 17 milionë lekëve për vitin 2009.