E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Universitetet private, jo cilësorë

Atë, që përveç opozitës në vend nuk ka guxuar askush ta artikulojë, e ka bërë dje hapur vetë Presidenti i Republikës Bamir Topi. Në një takim në rektoratin e Universitetit të Tiranës, kreu i shtetit ka folur mbi gjendjen reale të universiteteve private shqiptare. "Nuk janë në standardet e kërkuara", ka thënë Topi. Madje, ai ka goditur edhe fenomenin e licencimit të tyre në masë të gjerë, por që më pas këto institucione nuk i nënshtrohen një auditi apo kontrolli cilësor mbi atë që ofrojnë për të rinjtë shqiptarë. Duke cilësuar faktin se për sasi nuk jemi keq, por që e vështirë është bërë cilësia, kreu i shtetit gjithashtu nuk ka munguar që të orientojë kritikat e tij edhe në drejtim të një mungese totale të tregut të punës, ku për disa profesione ka më tepër ofertë se sa kërkesë.

Universitetet private

Presidenti Bamir Topi ka vënë dje në dukje faktin se universitetet si publike ashtu edhe ato private nuk duhet që thjesht të krijojnë kushte për arsimim. Së pari, ato duhet që të ofrojnë cilësi dhe standarde, ka theksuar kreu i shtetit.

"Është shumë e rëndësishme që universitetet jo thjesht të krijojnë kushte që të arsimohen, kjo vlen kryesisht për universitetet publike, vlen shumë dhe për universitetet private, të cilat sot në Shqipëri ekzistojnë, janë shtuar, por nuk mund të them që janë në ato standarde që kërkon sot integrimi në Bashkimin Evropian", ka deklaruar dje hapur Presidenti Topi. E ndërsa shumë përfaqësues të sotshëm të arsimit janë të vetëdijshëm për këtë fakt, pakkush apo askush prej tyre nuk e ka shprehur hapur mendimin e tij. Në këtë drejtim, kreu i shtetit ka apeluar për më shumë vëmendje.

Mes të tjerash, ai ka kërkuar edhe më shumë kontroll mbi këto institucione private të arsimit të lartë, ku sipas tij, një rol mjaft të rëndësishëm duhet të luajnë edhe universitetet publike, të cilat tashmë e kanë krijuar eksperiencën dhe fizionominë e tyre. "Kush më shumë sesa universitetet publike, duhet të bëjë kujdes që përveç licencimit të rritet ndjeshëm dhe auditimi?!", ka pyetur pa pasur nevojë për përgjigje numri një i rezidencës shqiptare. Sipas tij, ajo lloj preference për të ndërtuar universitete, që është e lavdërueshme, duhet të shkojë patjetër paralel me motivimin për të rritur kualitetin. Presidenti Topi ka vënë në dukje: "Ne nuk vuajmë sot nga masiviteti, ne sot vuajmë për kualitet dhe është e domosdoshme që sot të gjithë së bashku të sinkronizojmë përpjekjet tona, të sintonizojmë forcat tona që kualiteti të jetë pikërisht dominanti i punës i qarqeve akademike. Dhe unë jam i bindur që profesorët e nderuar, të cilët i njoh nga afër në të gjitha fushat, këtu ne kemi kualitete që ofrojmë, do të bëjnë të mundur fatmirësisht që këtë kualitet ta realizojnë edhe te formimi i studentëve".

Orientimi

Presidenti Topi i ka mëshuar fort idesë se studimet e të rinjve në Shqipëri duhet të kenë një balancim edhe me kërkesat e tregut të punës, gjë që aktualisht mungon plotësisht.

"Padyshim që, para se të shkosh në universitet, është e nevojshme që të orientojmë ata që mbarojnë maturën. Po të bëjmë një vështrim, të fokusohemi ku ata janë të orientuar, dhe kjo vlen vetëm për fëmijët e familjeve intelektuale, dhe aq më shumë vlen për familjet që nuk e kanë formimin e duhur për të orientuar fëmijët e tyre, dy degët sot në Shqipëri që preferohen në mënyrë shumë masive janë ‘Jurisprudenca‘ dhe ‘Ekonomiku‘, që do të thotë se ne nesër do të kemi një problem me tregun e punës", ka theksuar kreu i shtetit në fjalën e tij përpara drejtuesve dhe pedagogëve të disa universiteteve kryesore në vend.

Marrëveshjet

Dje, në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, u nënshkruan dy marrëveshje me Universitetin e Torinos, ku përveç rektorit të UT-së, Dhori Kule, nënshkroi edhe rektori i Universitetit Bujqësor, Fatos Harizaj.

Një nga marrëveshjet do të mundësojë edhe krijimin e një instituti për formimin e diplomatëve. Presidenti Topi tha se deri më sot, ne nuk kemi pasur një fakultet të tillë, dhe kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, sidomos për diplomacinë shqiptare, e cila në kushtet e reja të hapjes së Shqipërisë, së rritjes së domosdoshmërisë të përfaqësimit me dinjitet në infrastrukturën e diplomacisë botërore, do të ishte një shërbim shumë i madh edhe për Kosovën, edhe për shqiptarët e Maqedonisë.

Ndërkohë që nga këto marrëveshje pritet që t‘i jepet mundësi stafit pedagogjik, si dhe studentëve më të mirë që të përfitojnë nga eksperienca 600-vjeçare e Universitetit të Torinos. A.Rr.

Box

Vlerësimi

Vetëm tri universitete private janë akredituar

Vetëm tri universitete private kanë mundur që të licencohen. Ndërkohë që në këtë proces ka hyrë edhe Universiteti i Tiranës, që sapo ka përfunduar fazën e parë, atë të vlerësimit të brendshëm. Në përputhje me ligjin për arsimin e lartë, universitetet pasi të kryejnë procesin e vetëvlerësimit, raportin final duhet ta dorëzojnë pranë Agjencisë së Akreditimit, në Ministrinë e Arsimit. Gjithashtu, universiteteve qoftë publike apo private, u lejohet që të kontraktojnë një kompani të huaj prestigjioze në fushën e akreditimeve që të kryejë vlerësimin e jashtëm të tyre që sërish përfundon dhe firmoset edhe nga Agjencia e Akreditimit pranë MASH-it.

Vetë Kryeministri Sali Berisha, një vit më parë, deklaroi se do të ishte një kompani që do të përzgjidhej nga qeveria, e cila do të kryente vlerësimin dhe akreditimin e universiteteve në vendin tonë. Por që nga ajo kohë e deri tani, ndonëse u fol edhe për një emër konkret agjencie, sërish nuk është bërë asgjë.

Box

Debati

Përplasjet për nivelin e diplomave "private"

Drejtuesit e qeverisë dhe ata të Ministrisë së Arsimit, asnjëherë nuk i kanë pranuar akuzat e opozitës mbi universitetet private në vendin tonë, ku numri i të licencuarve vazhdon të shtohet nga viti në vit, ndonëse edhe dyert e universiteteve publike janë thuajse të hapura për shumë të rinj. Por janë pikërisht degët preferenciale ato që mbushin dyert e privatëve. Opozita e majtë ka akuzuar vazhdimisht se po abuzohet me diplomat pa asnjë vlerë të universiteteve private, pjesa më e madhe e të cilëve nuk janë as të akredituar. Ndërkohë që debati është shtrirë sidomos edhe në cilësinë e këtyre të diplomuarve. Nga ana tjetër, vetë profesorët dhe akademikët shqiptarë, duket se e kanë të vështirë të prononcohen lidhur me nivelin e ulët të disa universiteteve private dhe diplomave që ata lëshojnë. Kjo edhe për faktin se një pjesë e madhe e tyre janë të dypunësuar, fenomen ky mjaft i polemizuar deri një vit më parë, të paktën për Universitetin e Tiranës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›