Rama: Vendi në krizë. Protestat janë zgjidhja

Kryetari i PS-së, Edi Rama, paraqiti një panoramë të gjendjes së rënduar ekonomike në vend
TIRANË - Protestat e zhvilluara këto ditë anembanë vendit, pritet të kulmojnë me 30 prill në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë. Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje përmes një konference për shtyp se këto protesta do të vijojnë edhe më pas, me qëllim "zbardhjen e krimit elektoral dhe ndaljen e rrënimit ekonomik".
Ndryshe nga qëndrimi i kryeministrit Sali Berisha, i cili paraqet një situatë pozitive të gjendjes ekonomike në vend, kryetari i opozitës, Edi Rama, tha se protesta është e vetmja rrugë për të ndalur rrënimin e një ekonomie të marrë peng nga qeveria aktuale. "Shifrat e tremujorit të fundit dëshmojnë se ekonomia shqiptare është në degradim të vazhdueshëm dhe të pandalshëm.
Degradim që s'ka asnjë gjasë të ndalet pa larguar qeverinë, që është shkaku i krizës së gjithanshme të demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe vetë ekonomisë të futur në kutinë e shifrave të rreme. Vetëm në Tiranë dhe vetëm gjatë muajit mars, uji është shtrenjtuar me mbi 75%. Për qytetarët e Tiranës, fatura mujore e ujit ka arritur vlerat 30 mijë lekë të vjetra, jashtë çdo mundësie logjike për t'u përballuar nga shumica dërrmuese e familjeve të kryeqytetit.
Energjia elektrike raportohet nga qeveria të jetë shtrenjtuar 8 - 9% në tre muajt e fundit, ndërkohë që ligjërisht ajo është shtrenjtuar 13% (sipas ERE), ndërsa vetë qytetarët raportojnë për faturat 50 - 100% më të shtrenjta", - tha Rama. Duke u bazuar edhe në një studim të fundit mbi konkurrueshmërinë ekonomike në vendet e rajonit, Rama shtoi se kreditë për sipërmarrjen në Shqipëri kanë interesa 2-3 pikë më të larta se në vendet fqinjë.
"Dhe vetëm në dy muajt e fundit kreditë janë shtrenjtuar deri në një 1 pikë", - shtoi ai. Është normale, sipas tij, që përballë kësaj situate emergjente, shqiptarët të protestojnë. "Të protestojnë kundër një pushteti që nuk u mjaftua vetëm me vjedhjen e zgjedhjeve për të ndenjur në këmbë, por që tani kërkon me çdo kusht, të qëndrojë duke shkelur me këmbë çdo parim, normë e vlerë të bashkëjetesës demokratike.
Protestat në çdo qytet, në çdo fshat do të vazhdojnë dhe do të përshkallëzohen, për të kulmuar në 30 prill e më tej. Protesta dhe vetëm protesta për të zbardhur krimin elektoral, për të ndalur rrënimin ekonomik dhe për të larguar një qeveri, e cila pikërisht se është e lidhur me atë krim që fshihet në kutitë e votimit e ka të pamundur të zgjidhë edhe krizat që pasojnë prej atij krimi dhe që kulmojnë me çka ndodh përditë në ekonominë e familjeve shqiptare", - tha ai.