Qeveria, bllokohen shpenzimet e ministrive dhe institucioneve

Qeveria bllokon punësimin, shpërblimet, pagesat e orëve shtesë dhe trajnimet për të gjithë punonjësit e ministrive dhe institucioneve që janë në varësi të saj. Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të djeshme vendosi të miratojë një vendim i cili ka si synim të disiplinojë përdorimin e fondeve buxhetore, pas shkurtimit të ndjeshëm të zërit të shpenzimeve që këto institucione po pësojnë. Në vendimin e djeshëm të qeverisë theksohet në mënyrë të qartë se për pjesën e mbetur të vitit 2010 nuk do të kryhet asnjë ndryshim në strukturat ekzistuese të ministrive dhe institucioneve, në mënyrë që të mos rriten shpenzimet financiare. “Të mos ndërmerren ndryshime në strukturat ekzistuese, që shoqërohen me efekte financiare shtesë. Përjashtohet nga ky kufizim krijimi i institucioneve të reja”, theksohet në vendimin e Këshillimit të Ministrave. Po aty, në mënyrë të qartë theksohet se nuk do të paguhen më oraret jashtë punës të administratës dhe se do të kthen të gjitha ato shpenzime që janë bërë për këtë motiv në kundërshtim me udhëzimet e Ministrisë së Financës. “Shpenzimet e personelit, për orë pune, mbi kohën normale të punës, të përdorura në kundërshtim me udhëzimin nr.19, datë 10.7.2008, të ministrit të Financave, të kthehen në buxhetin e njësisë shpenzuese”, nënvijëzon vendimi. Po kështu, në mënyrë përfundimtare ky vendim anulon të gjitha trajnimet që janë parashikuar për administratën publike gjatë vitit 2010. “Trajnimet jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar me fondet e miratuara për vitin 2010, bllokohen”, nënvijëzohet në vendimin e përgatitur nga Ministria e Financave. Një reduktim i theksuar pritet të bëhet edhe për sa u përket shpenzimeve të administratës qendrore për udhëtime dhe dieta. “Shpenzimet për udhëtime e dieta për njësitë e qeverisjes së përgjithshme të reduktohen, duke përfshirë vetëm udhëtime të rëndësisë së veçantë e vetëm për një numër të kufizuar punonjësish. Në çdo rast, për kryerjen e këtyre udhëtimeve, të merret miratimi i ministrit/titullarit të institucionit qendror”, theksohet në vendim. Nga ana tjetër, në kuadër të shtrëngimeve buxhetore, qeveria vendosi dje që pagesat për nëpunësit civilë, që janë në listë pritjeje, të bëhen vetëm pasi për to të jepet konfirmimi zyrtar nga ana e Departamentit të Administratës Publike. Po kështu, dje u vendos që shpenzimet e personelit, të dhëna me hollësi, në nivel mujor dhe të depozituara në Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit, në Ministrinë e Financave të mos avancohen. Nga ana tjetër u vendos që fondi i veçantë i planifikuar në shpenzimet e personelit të mos përdoret për shpërblime e për veprimtari social-kulturore, deri më datë 1 dhjetor 2010. Po kështu, qeveria parashikon që çdo shpërblim për punonjësit, i dhënë në kundërshtim me vendimin nr.1151, datë 25.11.2009, të Këshillit të Ministrave, përjashtuar pikën 5 të tij, të kthehet në buxhetin e njësisë shpenzuese.
#