Meta: Nuk do të votojmë ligjin për SHISH

Balla: PS, e vendosur në qëndrimin e saj për të mos prishur marrëdhëniet me NATO-n
TIRANË - Një ditë pas tentativës së mazhorancës për të kaluar projektligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror në Parlament, ka reaguar zv.kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ilir Meta është shprehur se deputetët e kësaj force nuk do të votojnë ndryshimet që mazhoranca kërkon t'i bëjë ligjit për SHISH. Sipas kreut të LSI-së, Shqipëria duhet të konsultohet me partnerët e saj të huaj, duke përfshirë edhe NATO-n ndërsa për momentin ka çështje më të rëndësishme për t'u marrë.
"Proceset e përmirësimeve ligjore kërkojnë kohën e tyre dhe absolutisht gjithçka duhet të realizohet në bashkëpunim dhe mirëkuptim të plotë me Aleancën, sepse nuk kemi të bëjmë me një ligj të zakonshëm, por me një proces shumë delikat. Qëndrimi ynë është shumë parimor dhe i qartë. Pa përfunduar konsultimet me NATO-n, asnjë ndryshim nuk do të ndodhë dhe nuk ka përse të ndodhë në këtë ligj", - sqaroi Meta.
Ndërkohë, Partia Socialiste shprehet e vendosur për të mos u tërhequr nga vendimi për të rrëzuar projektligjin e qeverisë, i cili i rrit kompetencat kryeministrit Berisha. Duke komentuar qëndrimin e LSI-së kundër ligjit për SHISH, deputeti i PS, Taulant Balla, deklaroi se vendimi i deputetëve të LSI-së është një arsye më shumë për t'i lënë mazhorancës për të kuptuar rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të mira me SHBA dhe me NATO-n.
"Partia Socialiste ka marrë një vendim për të qëndruar fort në mbrojtje të marrëdhënieve kaq të mira në partneritet me SHBA-në dhe me NATO-n", - deklaroi deputeti socialist, Taulant Balla.