E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg e gjobë për Dreambox, vjedhësit e DigitAlb

Të dënuarit ndërhynë në sistemin kompjuterik dhe ofronin në mënyrë të kundërligjshme programe, ekskluzivitet i platformës dixhitale

“Dreambox”, transmetuesit e paligjshëm të programeve, ekskluzivitet i “DigitAlb”, nuk do të kenë mundësinë t’i shkaktojnë dëm kësaj të fundit, pasi Gjykata e Faktit i ka dënuar ata me burg e gjobë. Vetëm tri ditë më parë, togat e zeza dhanë vendimin për shtatë prej të pandehurve, të cilët kërkuan gjykim të shkurtuar. Ndërsa do të vijojë me gjykimin dhe dhënien e vendimit për katër prej të pandehurve të tjerë. Për gjashtë nga të pandehurit gjykata dha 6 muaj burg, me kusht moskryerjen e asnjë vepre tjetër penale brenda 18 muajsh dhe gjobë 100 mijë lekë, ndërsa për të shtatin vetëm 70 mijë lekë gjobë. Këto dënime ishin përfundimtare, duke llogaritur përfitimin e të pandehurve nga kërkesa për gjykim të shkurtuar.

“Duke e gjetur të drejtë kualifikimin ligjor të veprës penale të ‘mashtrimit kompjuterik’, gjykata çmon se në veprimet e të pandehurve Xhafer Gixhari, Marin Palushi, Alfred Kadriu, Edison Shema, Sokol Shalca, Saimir Kuniqi, ekzistojnë të plotë elementet e kësaj vepre penale”, thuhet në vendimin e gjykatës. Sipas këtij të fundit, togat e zeza gjejnë të njëjtin element edhe në veprimet e të pandehurit Eldi Vorpsi, që kishte dijeni për ngjarjen dhe duke mos e kallëzuar atë plotëson figurën e veprës penale të “moskallëzimit të krimit”.

Kompania “DigitAlb”, më 31 tetor të vitit 2008, paraqiti në prokurori një kallëzim penal, sipas të cilit, nga informacionet e disponuara nga ky subjekt, persona të ndryshëm, të cilët ushtronin aktivitet tregtar në fushën e elektronikës, kishin ndërhyrë në sistemin kompjuterik, në internet, duke realizuar shkatërrimin e kodeve dhe mundësonin ofrimin në mënyrë të kundërligjshme të disa programeve, ekskluzivitetin e të cilave e ka vetëm kompania “DigitAlb” në paketat e saj. Nga ky veprim i kundërligjshëm, që ofrohet kundrejt pagesës prej 230 eurosh në vit, ku përfshihej dekoderi, karta, si edhe instalimi, personat që e ofronin atë shërbim përfitonin të ardhura duke i shkaktuar kompanisë “DigitAlb” një dëm që arrinte në shifrën rreth 1 milion euro, si edhe shtetit, i cili humbiste mundësinë e vjeljes së taksave në shumën prej rreth 100 mijë eurosh. Pas kallëzimit të kompanisë “DigitAlb”, organi i akuzës regjistroi procedimin penal në datën 12 nëntor 2008, për veprat penale të “vjedhjes” dhe “riprodhimit pa të drejtë të veprës së tjetrit”, parashikuar respektivisht nga nenet 134 dhe 149 të Kodit Penal dhe më pas, në shkurt 2009, ky organ ngriti akuzën ndaj të pandehurve: Spiro Zguri, Xhafer Gixhari, Marin Palushi, Alfred Kadriu, Edison Shema, Sokol Shalca, Lorenc Nushi, Saimir Kuniqi, Saimir Likollari, Eldi Vorpsi dhe Fatmir Cupi. Nëntë prej tyre u akuzuan për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b/1 i Kodit Penal. I pandehuri Eldi Vorpsi u akuzua për kryerjen e veprës penale të “moskallëzimit të krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal, ndërsa Fatmir çupi u akuzua për kryerjen e veprës penale të “tregtimit dhe transportimit të mallrave që janë kontrabandë”, parashikuar nga neni 178 i Kodit Penal. Me provat e analizuara nga gjykata u çmua fajësia e të pandehurve për veprat penale, për të cilat ata akuzohen. Fajësinë e të pandehurve e vërtetonin edhe pamjet filmike, fotografike, si edhe audio, në lidhje me blerjet e stimuluara të aparateve dreambox te subjekte të ndryshme për të provuar lidhjen e sinjalit nëpërmjet internetit, si dhe për të provuar mashtrimin kompjuterik nga të pandehurit nëpërmjet veprimeve të kryera prej tyre. Të tilla blerje ishin realizuar në Durrës, Fier, Lushnjë, Korçë, Tiranë, Shkodër, Berat etj.

Pas përfundimit të hetimeve, dosja në ngarkim të 11 personave shkoi në gjykatë, por 7 prej tyre kërkuan gjykim të shkurtuar. Për këtë arsye u veçua gjykimi për katër nga të pandehurit. Gjykata vendosi zhvillimin e gjykimit me procedurë të shkurtuar, ndaj të pandehurve Xhafer Gixhari, Marin Palushi, Alfred Kadriu, Edison Shema, Sokol Shalca, Saimir Kuniqi dhe Eldi Vorpsi. Ndërsa u ndoq gjykimi me procedurë të zakonshme për të pandehurit Spiro Zguri, Lorenc Nushi, Saimir Likollari dhe Fatmir Cupi, pasi ata nuk paraqitën në gjykatë kërkesë paraprake për zhvillimin e gjykimit me tjetër procedurë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›