E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, çel fondin e kasave për 21 bashki dhe 25 komuna

Qeveria ka vendosur dje në mbledhjen e radhës të kompensojë 21 bashki dhe 25 komuna, për kasat fiskale dhe taksimetrat 416 592 351 milionë lekë. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.10 355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, me propozimin e Ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave ka vendosur të kompensojë biznesin e vogël për rimbursimin e vlerës së pajisjeve fiskale dhe taksimetrave, për njësitë e qeverisjes vendore, për 21 bashki dhe 25 komuna. Fondi, në vlerë 416 592 351 lekë do të përballohet nga Fondi i Kontigjencës i miratuar në buxhetin e vitit 2011. Sipas vendimit në fjalë, institucionet që ngarkohen për zbatimin e tij është Ministria e Financave dhe njësitë e qeverisjes vendore. Sipas një vendimi të mëparshëm të qeverisë, bizneset, të cilat kanë blerë kasat fiskale te shoqëritë, të cilave u është hequr autorizimi, do të kompensohen vetëm në rast se i kanë blerë pajisjet deri në datën 26/07/2010, datë në të cilën i është hequr autorizimi shoqërive. Kjo parashikohet në ndryshimet që iu bënë vendimit të Këshillit të Ministrave “Për sistemin e taksave vendore”, sipas të cilit tatimpaguesi duhet të dorëzojë pranë zyrës së taksave të bashkisë apo të komunës, ku është i regjistruar, dokumentacionin përkatës. Ndërsa përsa i përket tatimpaguesit, që ushtron veprimtari në ofrimin e shërbimit të taksisë, ai duhet të dorëzojë pranë zyrës së taksave të bashkisë apo të komunës, ku është i regjistruar, brenda datës 31 mars 2011, formularin e rimbursimit të pagesës për taksimetrin, sipas formatit përkatës i cili parashikon kopjen e faturës së blerjes së taksimetrit, kopjen e kontratës me shoqërinë shitëse të taksimetrave, kopjen e njoftim - vlerësimit tatimor për vitin ushtrimor, të lëshuar nga zyra e taksave të bashkisë ose të komunës dhe faturën e plumblosjes që vendoset nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›