E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat rrisin fitimet me 57 % këtë vit

Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, fitimi i bankave në fund të tremujorit të parë të vitit arriti në 668 milionë në lekë, ose 57 % më shumë se në janar-prill 2010

Bankat në vendin tonë kanë dyfishuar fitimet, në krahasim me tremujorin e vitit të kaluar. Të dhënat e Shoqatës së Bankave tregojnë se, fitimi i bankave në fund të tremujorit të parë të vitit arriti në 668 milionë lekë, ose 57 për qind më shumë se një vit më parë për të njëjtën periudhë. Ky rezultat përfshin balancën e rezultateve financiare të të gjithë bankave të sistemit. Ndonëse nuk janë bërë ende publike të dhënat, të ndara sipas bankave të veçanta, tendenca e dy viteve të fundit ka treguar se bankat e mëdha kanë arritur fitime mjaft të kënaqshme për situatën, ndërkohë që një numër bankash të mesme dhe të vogla kanë shfaqur probleme. Besohet se pikërisht problemet e bankave të veçanta kanë tërhequr në ulje balancën e rezultatit financiar të sistemit. Në fakt, shqetësimi kryesor për bankat ngelet norma e lartë e kredive me probleme, që mban të larta shpenzimet e bankave për provigjione. Megjithatë, ana pozitive e medaljes është se ky tregues ka arritur një lloj stabiliteti. Në fund të muajit mars, përqindja e kredive me probleme ishte 14.7%, me një rritje shumë të lehtë, nga niveli 14.6% i muajit shkurt. Siç është bërë tashmë e ditur nga Banka e Shqipërisë, edhe treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ka rënë në nivelin 14.8%, nga 16.2% që ishte një vit më parë. Ndërsa fitimi në sektorin bankar gjatë vitit 2010, arriti në vlerën 6.7 miliardë lekë, ose 60 milionë euro, gati dy herë më i lartë se rezultati financiar i vitit 2009. Aktivet e sektorit bankar u ngjitën në nivelin 990.6 miliardë lekë, duke zënë 94.5% të totalit të aktiveve të sistemit financiar. Depozitat e sektorit bankar u ngjitën në nivelin 805 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 9.3% kundrejt fundit të muajit qershor dhe prej 17.7% kundrejt një viti më parë. Ecuria e mirë e aktivitetit të sektorit bankar është mbështetur edhe nga mirëfunksionimi i infrastrukturës së sistemeve të pagesave. Aktivet likuide përfaqësuan 26% të totalit të aktiveve të sektorit bankar. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e rezultatit financiar është mbështetur prej rritjes së të ardhurave neto nga interesat dhe kontrollit më të mirë mbi kostot e veprimtarisë. Megjithatë, rezultati pozitiv financiar ka nevojë të ketë një shpërndarje më të mirë dhe të jetë më i lartë, për të mbështetur më mirë veprimtarinë e sektorit bankar. Në fakt fitimet në sistemin bankar janë cilësuar nga shumë ekspertë të pamerituara, për shkak të tarifave dhe interesave të larta që bankat ofrojnë në vendin tonë. Pikërisht për këtë, qeveria ka marrë nismën për të aplikuar një tatim progresiv mbi fitimet mbi 30 për qind. Projekti i qeverisë ka hasur në kundërshtitë e forta të bankave. Në muajt janar-shkurt, sistemi bankar ka vazhduar të regjistrojë ulje të lehta për interesat e depozitave në të dy monedhat kryesore dhe në të gjitha maturitetet. Pavarësisht kësaj, normat mesatare të ponderuara kanë regjistruar rritje të lehta, si pasojë e rritjes së vlerave në depozitat me maturitet dhe interes më të lartë në disa nga bankat e sistemit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›