Meta: Opozita të reflektojë
Ministri i Jashtëm kërkoi që opozita të bashkëpunojë për integrimin e vendit. Të njëjtën thirrje bëri edhe Berisha
TIRANË - Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, duke e cilësuar dorëzimin e Pyetësorit si një moment historik, kërkoi dje që opozita shqiptare të ushtrojë përgjegjësitë e saj për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Meta theksoi se opozita duhet të kontribuojë për proceset integruese të vendit dhe të mos u kundërvihet atyre, pavarësisht justifikimeve që ata kanë. Ai theksoi gjithashtu se opozita duhet të reflektojë, pasi, sipas Metës, opozita nuk mund ta konsiderojë si sukses qëndrimin inaktiv të jetës së saj parlamentare.
"Absolutisht është e pakuptueshme që opozita të mos ushtrojë përgjegjësitë e saj në drejtim të integrimit evropian të vendit. Do të ishin shumë të mirëpritur edhe në Parlament edhe në zyrat e administratës që të kontribuonin dhe që mos t'i kundërvihen këtij procesi, pavarësisht nga justifikimet e tyre.
Por unë besoj që edhe opozita do të reflektojë sepse unë nuk mund ta besoj se opozita të shohë si sukses të saj mosfunksionimin si një opozitë aktive parlamentare, e cila përmbush detyrimet e saj në këtë proces që është kombëtar", - tha dje Meta.
Gjithashtu, edhe Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje nga Brukseli, opozitës që të bashkëpunojnë në proceset integruese, pasi sipas kreut të qeverisë integrimi në BE kërkon impenjimin e të gjitha forcave politike.
"Ajo që dua të theksoj është se procesi i integrimit kërkon që të gjitha forcat politike të dëshmojnë me vepra dhe jo me fjalë përkushtimin e tyre, ndaj këtij projekti madhor të të gjithë shqiptarëve. Uroj dhe shpresoj që opozita të bashkëngjitet dhe të luajë rolin e saj shumë të rëndësishëm në këtë proces, së bashku me mazhorancën.
Kjo është thirrja ime", - u shpreh Berisha. Për sa i përket thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike, së fundi edhe nga Komisioni Europian gjatë dorëzimit të Pyetësorit, Meta qartësoi se mazhoranca i ka dhënë të gjitha hapësirat opozitës, duke përfshirë këtu sipas tij, edhe shumicën për komisionin hetimor.
Por, për çështjen e hapjes së kutive, Meta përsëriti qëndrimin kolektiv të shumicës në pushtet se kutitë e votimit nuk mund të hapen, sepse cenohet ndarja e pushteteve. "Mazhoranca ka për detyrë të ofrojë të gjitha hapësirat dhe mundësitë për opozitën në pretendimet e saj legjitime dhe unë mendoj që mazhoranca ka treguar vullnet maksimal për ti dhënë kryetarin, për të filluar hetimin e të gjitha atyre çështjeve që ka ngritur opozita.
Ka një qëndrim të ndryshëm, diametralisht të kundërt për çështjen e ashtuquajtur të hapjes së kutive, që në fakt është një çështje e respektimit të pavarësisë së gjyqësorit apo e cenimit të pavarësisë së gjyqësorit, një çështje fondamentale", - u shpreh ai.
Megjithatë, ministri i Jashtëm sugjeroi që për transparencën e zgjedhjeve opozita t'i drejtohet Komisionit të Venecias apo Gjykatës Kushtuese, ndërsa specifikoi se qëllimi i opozitës është që të dëmtohet Shqipëria për një problem që, sipas Metës, e kanë krijuar ata vetë.