E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria do të bëjë gjithçka për statusin e vendit kandidat”

09/11/2011  Njëvjetori i liberalizimit të vizave, Kryeministri fajëson Ramën për integrimin

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në njëvjetorin e liberalizimit të vizave për shqiptarët fajësoi opozitën për bllokimin e procesit të integrimit të vendit, përpjekje që sipas tij u bë edhe për çështjen e vizave. Nëse për këtë të fundit opozita dështoi, Kryeministri siguroi se për integrimin qeveria e tij do të bëjë ç’është e mundur që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. “Shqiptarët e meritonin plotësisht heqjen e vizave. Ata ishin fatlumë gjithashtu se përpjekjet e mëdha, unike në historinë e Evropës, të kreut të opozitës shqiptare për të bllokuar procesin e vizave, thirrjet e tij ‘hap kutitë, të çliroj vizat’, letrat e tij se, po hoqët vizat, 800 mijë apo 1 milion shqiptarë do të derdhen në Evropë, patën zero efekt në këtë proces. Evropa veçse u çudit se si ka mundësi që ndaj këtij akti madhor për burrat, gratë, fëmijët, të rinjtë shqiptarë, një politikan në krye të opozitës bën çdo gjë për ta penguar dhe bllokuar atë”, - deklaroi Berisha gjatë një konference për mediat. Siç u shpreh Kryeministri, kryesocialisti Rama i mban si plaçkë tregu ligjet me 3/5 e nuk i voton, e megjithatë ai i garantoi shqiptarët se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është tërësisht i parikthyeshëm. “Le të flasim hapur, sepse nuk ka mbetur njeri nga Konispoli në Vermosh, që nuk e ka të qartë se statusi u mor peng për interesa personale të pushtetit të zotit Rama, që bllokoi dhe nuk lejoi grupin e tij të votonte. Një akt që s’e ka bërë Shesheli në Serbi, një akt që s’e kanë bërë forcat më ekstremiste në vendet e tyre. Nuk lejoi grupin e tij të votonte 4-5 ligje, që kërkoheshin me shumë të drejtë nga Komisioni Evropian, si dëshmi e një vullneti që ky vend do të votojë të gjitha reformat e kërkuara. E rëndësishme është se ky proces është i parikthyeshëm”, - garantoi kreu i qeverisë. Ndonëse premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorë për statusin e vendit kandidat, Berisha tha gjithashtu se qeveria nuk është ajo që disiplinon apo udhëheq opozitën. “Jo, opozita është sovrane në këtë vend dhe ky është një parim shumë themelor, i cili nuk mund të shkelet kurrë. Nuk keni parë ndonjëherë që unë të bazoj veprimet apo aktet e mia në prapashpinë, është jashtë kulturës sime politike ajo. Unë bazoj qëndrimet në transparencë të plotë”, - vijoi ai. Ai përmendi humbjet e Ramës në zgjedhjet lokale, dhe tha se këtë fat do të pësojë edhe në zgjedhje e 2013-s. “Pra, zoti Rama bllokoi dy vite më radhë. Thirri zgjedhjet lokale plebishitare, është shumë e vërtetë. Ai tha se ky është referendum kundër qeverisë dhe qeveria doli me 141 mijë vota më shumë. Ai ka një veti që realitetin e percepton siç e do vetë dhe sikundër nuk është. Pra, çfarë ndodhi, janë shqiptarët që do e zgjidhin problemin më 2013, pas 2013 këtë e dinë qytetarët e këtij vendi. Unë jam kryeministër, qeveris mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës, por e sigurt është që qytetarët do ta zgjidhin”, - deklaroi numri një i qeverisë shqiptare. Në përvjetorin e krijimit të Partisë Komuniste, Berisha e përmendi qysh në hapje të fjalës së tij. “Sot është 8 nëntori, nuk jam këtu për t’i uruar zotit Rama 70-vjetorin”, - tha ai. Ndërsa në përfundim të konferencës për shtyp, Kryeministri Berisha prezantoi edhe anëtarin më të ri në kabinetin e tij, Ilir Kadia, si këshilltar i Marrëdhënieve me Publikun.

Liberalizimi

“Heqja e vizave ishte një akt plotësisht i merituar për shqiptarët, e që erdhi si rezultat i reformave të gjithanshme, të cilat vendosën standarde të reja të sigurisë, të kontrollit të kufijve, reforma, të cilat e shndërruan Shqipërinë në një prodhuese të vërtetë stailiteti në rajon dhe më gjerë.”

Rezultati

“Më 8 maj Rama përjetoi humbjen më të hidhur të të gjitha llojeve të humbura. Nuk e di do ta ngushëllojë ai veten duke shpallur veten ‘kurban’, por çfarëdo që ta shpallë ai veten, ai do të mbetet humbësi i pesëfishtë, me 141 mijë vota në shkallë vendi ose 19 deputetë më pak.”

Negociatat

“Midis PS dhe PD në mënyrë të padiskutueshme ka pasur, ka dhe do të ketë kontakte. Ato janë të domosdoshme për të diskutuar për çështje të cilat janë të një rëndësie të caktuar të dyanshme. Është e sigurt që çdo propozim të opozitës ne e shqyrtojmë me seriozitetin e merituar.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›