E Diel, 1 Nëntor 2026

Identifikohet numri që kërcënoi me jetë socialistin Taulant Balla

09/11/2011  Vjen përgjigjja nga kompanitë celulare, verifikime për zbulimin e përdoruesit

TIRANE-Prokuroria identifikon numrin e celularit, ku nëpërmjet të cilit një person ende i panjohur kërcënoi me jetë deputetin e Partisë Socialiste, Taulant Balla. Sipas një shkrese të referuar në Prokurori nga një kompani celulare që operon në vend, rezulton i identifikuar numri telefonik që mbrëmjen e 21 tetorit ka thirrur numrin celular, i cili përdoret nga deputeti i PS. Pas kësaj thirrje qëndron një person që për momentin ende nuk është zbuluar, i cili ka kanosur me jetë deputetin e Parlamentit, duke i pohuar gjatë një bisede telefonike se: “Shumë e ke zgjatur gojën, ta presim gjuhën e do të ta mbyllim”. Pikërisht ky kërcënim vinte menjëherë pas përfundimit të interpelancës në Parlament, ku Balla kërcënoi ministrin Genc Pollo për korrupsion me shtrimin e fibrave optike të internetit. Burimet pranë akuzës së kryeqytetit i thanë gazetës “Metropol” se në pamundësi për të zbardhur numrin, pasi në telefonin e Ballës rezultonte se thirrja ishte kryer me numër të fshehtë (privato), i janë drejtuar me një kërkesë kompanive celulare që të bëjnë verifikimet e nevojshme për identifikimin e saktë të numrit. Momentalisht përgjigjja është administruar në dosje, ku provohet se numri i celularit është i identifikuar me të gjitha shifrat. “Aktualisht nuk dimë se kush e ka në përdorim këtë numër, dhe nisur nga kjo situatë i kemi drejtuar sërish kompanisë një kërkesë për të bërë verifikime të tjera, me qëllim zbulimin e emrit të personit që e ka në zotërim numrin telefonik, ku nëpërmjet të cilit u kërcënua deputeti Balla”,-thanë burimet pranë Prokurorisë së Tiranës. Pavarësisht kësaj hetuesit dyshojnë se numri që tashmë është identifikuar, mund t’i përkasë ndonjë tregtari ambulant. “Praktika e këtyre rasteve ka treguar se numrat blihen në tregun e zi, gjë e cila vështirëson shumë mundësinë për të arritur tek autori i krimit”,-shtuan burimet. Në kallëzimin e depozituar në prokurori, Balla parashtron se kanosja me jetë, vjen në një moment kur ai sapo kishte përfunduar interpelancën në Parlament me ministrin e Genc Pollo, të cilin e akuzoi publikisht për akuzën e korrupsionit. Madje për të provuar këtë pretendim, së bashku me kallëzimin penale, deputeti Balla u ka dorëzuar prokurorëve edhe një kopje të fjalimit në tekstin e të cilit ai ngriti disa çështje që kishin të bënim me koncesionin e shtrirjes kombëtare së fibrave optike të internetit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›