Qeveria do të ngrejë një obelisk për krimet e komunizmit
Qeveria ka depozituar në Kuvend dy projektligje, njëri për krijimin e institutit të studimeve të krimeve dhe të pasojave të komunizmit ndërsa tjetri për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit. Sipas qeverisë, krijimi i këtij instituti vjen si nevojë për të ruajtur në kujtesë numrin e madh të viktimave, shpirtin e rezistencën së qytetarëve shqiptarë kundër diktaturës, detyrim i shtetit për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Konventa Ndërkombëtare për Krimet Komuniste, detyrim i shtetit për të dëmshpërblyer të gjithë ata që janë dëmtuar nga shkelja e të drejtave të njeriut. Ky institut do të merret edhe me kërkimet publike të pavarura. Ai do të kryejë studime dhe vlerësime objektive të periudhës së regjimit komunist, analizën e shkaqeve dhe të rrugës të vendosjes së regjimit komunist. Ndërsa simbolet vijnë si nevojë për të ruajtur në kujtesë numrin e madh të viktimave të komunistëve. Gjithashtu shprehet angazhimi i shtetit për të informuar qytetarët, veçanërisht brezat që nuk kanë përjetuar periudhën e diktaturës komuniste. Ky projektligj përcakton datën e rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha në Tiranë si simbol i fitores së demokracisë mbi diktaturën dhe të rrëzimit të regjimit komunist. Projektligji përcakton edhe ngritjen e një obelisku përmes të cilit do të përkujtohen viktimat e komunizmit.